Një në 20 persona është aq supersticioz sa këtë të premte, më datë 13 nuk do të dalë nga shtëpia, për të minimizuar sa më shumë mundësinë e fatit të keq.

Një sondazh i realizuar sëfundmi në Britani tregon se 80 përqind e britanikëve janë supersticiozë dhe shumë prej tyre kanë rituale të ndryshme, siç janë çorapet fatsjellëse, një monedhë për fat etj. Në sondazhin ku votuan 2 mijë persona, rezultoi se 5 përqind e tyre nuk kishin ndërmend të dilnin nga shtëpia më 13 Janar të ditës së premte. E marrë në total, nga 60 milionë të rritur në Britani, do të thotë se rreth 3 milionë prej tyre nuk planifikojnë të dalin nga shtëpia këtë ditë, për të evituar një aksident apo fatkeqësi. E premtja e datës 13 konsiderohet si një ditë pafat në supersticionet e Perëndimit. Ndodh kur dita e 13 e muajit është e premte. Supersticioni që rrethon këtë ditë besohet të ketë lindur gjatë Mesjetës, me origjinë nga historia e darkës së fundit dhe kryqëzimit të Jezusit, ku prezentë ishin 13 persona.