Një operacion policor ndërkombëtar me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Anglisë, SHBA-së, Kanadasë e vendeve të tjera ka shkatërruar një rrjet që fuste ilegalisht shqiptarë në Britaninë e madhe.

Operacioni solli arrestimin e mbi 50 personave që bënin miliona duke lëvizur migrantët përmes 17 vendeve për t’i çuar në Britani, SHBA e Kanada.

 

39 të dyshuar operonin në dhjetë vende, përfshirë Britaninë, dhe akuzohen për trafikimin e rreth 1500 emigrantëve ilegalë, të cilët kanë paguar deri në 20 mijë sterlina për t’u larguar nga Shqipëria drejt ishullit. 12 të tjerë janë ende në liri.

Midis të arrestuarve janë katër policë shqiptarë të pikave të kalimit të kufirit, të dyshuar për dhënie ndihme organizatës.

Hetuesit kanë kapur edhe automatikë, municione, mbi 25 mijë sterlina dhe një numër pasaportash dhe kartash identiteti false, si dhe vula e pulla, printerë lazer me ngjyra dhe 28 kompjutera që përdoreshin për falsifikimin e dokumenteve.

Gjysma e personave të trafikuar, rreth 750, kanë mbërritur në Angli, ku janë ndihmuar nga persona vendas të përfshirë në operacion.

Rreth nëntë në dhjetë shqiparë të trafikuar në Britani besohet se kanë hyrë me tragete, duke përdorur pasaportat dhe kartat e identitetit false. Shumica e dokumenteve të falsifikuar ishin italianë, disa francezë dhe spanjollë.

Fillimisht, rruga për në Angli kalonte përmes Italisë e Francës, por pas operacioneve të policisë së këtyre vendeve filluan t’i binin rrotull, duke kaluar nga Mali i Zi, Serbia, Gjermania dhe veriu i Spanjës, prej nga kalonin në ishull me anije.

Operacioni i policisë nisi pasi Daily Mail zbuloi, vitin e kaluar, shkallën tronditëse të emigracionit ilegal shqiptar në Angli, teksa shumë emigrantë të rinj postonin hapur selfie duke qeshur e bërë shaka ndërsa udhëtonin të fshehur në kamionë që shkonin drejt Britanisë.
Agjencia

Kombëtare e Krimit (NCA) ka paralajmëruar se grupe kriminale shqiptare kanë krijuar influencë të profilit të lartë brenda krimit të organizuar britanik. Ata qëndrojnë pas një pjese të madhe të shpërndarjes së kokainës në vend dhe përfshihen edhe në trafikim dhe prostitucion.

Shqiptarët tani përbëjnë grupin e tretë më të madh të huaj në burgjet e Anglisë dhe Uellsit, pas irlandezëve dhe polakëve, me një kosto rreth 53 milionë sterlina për taksapaguesit vendas.
Në burgje ishin 726 shqiptarë vitin e kaluar, nga 267, thuajse trefishi, që ishin më 2013.
Autoritetet shqiptare i përshkruan sulmet e policisë si “mega operacion” që përfshiu njerëz edhe nga Departamenti i Shtetit i SHBA, Agjencia kanadeze e Shërbimit Kufitar, Europol, Interpol dhe policitë në Kosovë, Spanjë, Francë e Itali.

Operacioni kishte emrin e koduar ‘One If By Land’, sipas një sinjali sekret të përdorur gjatë Revolucionit Amerikan.

Shefi i policisë shqiptare Ardi Veliu tha se shtatë grupe kriminale ishin përfshirë në trafikun njerëzor dhe operonin në Shqipëri, Bullgari, Spanjë, Francë, Republikën Domenikane, Itali, Britani, Irlandë dhe SHBA.

“Çdo person paguante të paktën 7 mijë sterlina për të shkuar në Britani dhe nga 17 mijë në 20 mijë sterlina për të shkuar në SHBA e Kanada”, tha Veliu.

Shqiptarët mund të udhëtojnë lirisht pa viza brenda BE, deri në veri të Spanjës apo Kalé të Francës, por u duhen viza për në Britani apo Amerikën Veriore.

Shqiptarët vitin e kaluar kishin numrin e dytë më të madh të fëmijëve të pashoqëruar që kërkon azil në Britani, me më tepër aplikanë edhe se Siria e shkatërruar nga lufta.

Deputetët britanikë kanë paralajmëruar se kuotat e larta që marrin trafikantët bëjnë që emigrantët shpesh të pranojnë të punojnë për ta për të shlyer borxhin.NCA thotë se bandat shqiptare kanë “kontroll të konsiderueshëm” në tregun e drogës në Britani.