Si çdo vit edhe këtë herë protestat në Athinë në përkujtim të 15-vjeçarit të vrarë nga policia greke 10 vite më parë, Alexandros Grigoropoulos, janë shoqëruar me akte të dhunshme.

Mijëra pjesëmarrës në protestë, ndër ta edhe anarkistë e ekstremistë, janë përplasur me policinë duke hedhur bomba molotiv, ndërsa forcat e rendit u kundërpërgjigjën me gaz lotsjellës.

Protesta të dhunshme u regjistruan në qendër të Athinës si dhe qytetin e dytë më të madh të Greqisë, në Selanik.

Gjithashtu, anarkistët i kanë vënë flakën disa automjeteve dhe një apartamenti duke rrezikuar edhe jetën e banorëve. Protesta u zhvendos edhe përpara ndërtesës së Parlamentit grek. Sipas mediave greke mësohet se protesta të dhunshme priten edhe në disa qytete të tjera.

Në një protestë të zhvilluar nga qytetarët grekë në 6 dhjetor të vitit 2008 mbeti i vrarë me armë zjarri nga një efektiv policie 15-vjeçari Alexandros Grigoropoulos.

Prej atëherë zhvillohen çdo vit protesta përkujtimore për të dhe shoqërohen me përplasje të dhunshme me forcat e rendit.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE