Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë, me ftesë të Presidentit të Republikës Franceze, Emmanuel Macron në përkujtimin festiv të 100-vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore, të zhvilluar me ceremoni simbolike dhe paradë ushtarake në Harkun e Triumfit në Paris.

Në nisje të këtij aktiviteti zyrtar, ku ishin të pranishëm edhe Presidenti i SHBA, Donald Trump, Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres e liderë të tjerë botërorë,

Presidenti Meta u prit në një ceremoni shtetërore në Pallatin Élysée nga homologu i tij francez Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron.

Në takimin që zhvilloi me homologun francez, Presidenti Meta ndër të tjera shprehu vlerësimet për marrëdhëniet tradicionale dhe të shkëlqyera mes dy vendeve tona si edhe theksoi rëndësinë e dinamizmit të tyre.

Në takimin me Macron, presidenti Meta vlerësoi rolin e tij për një Europë më të fortë e më të bashkuar. Impresionet nga ky takim, kreu i shtetit i shprehu përmes një postimi në Facebook.

Kënaqësi të pritesha sot në Pallatin Élysée nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron në kuadër të ceremonisë madhështore të organizuar me rastin e 100-vjetorit të Armëpushimit të Luftës së Parë Botërore dhe Forumit të Paqes.

Në nderim të paqes e lirisë dhe në respekt të sakrificave dhe të rënëve gjatë Luftës së Parë Botërore, si një mësim për të qëndruar së bashku rreth vlerave morale të popujve, vlera që na detyrojnë të punojmë me përgjegjësi për një botë në paqe dhe një shoqëri në themel të cilës të qëndrojnë harmonia, miqësia e respekti i ndërsjelltë.

Gjithashtu, Presidenti Meta zhvilloi në Paris, një takim të ngrohtë e miqësor me Kryeministrin e Shtetit të Izraelit, Benjamin Netanyahu. Në këtë takim Presidenti Meta vlerësoi marrëdhënien unike mes popujve tanë në respekt e mirënjohje të historisë si edhe shprehu vullnetin për një marrëdhënie edhe më të ngushtë në të ardhmen mes Shqipërisë dhe Izraelit.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE