Një vajzë 25-vjeçe nga Lushnja u mbyt pasditen e sotme në kanionin e Holtës, ndërsa 6 të tjerë, mes tyre 4 fëmijë fatmirësisht u shpëtuan. Viktima është Desantila Sollaku.

Ajo kishte shkuar për të kaluar fundjavën në kanionet e njohura dhe shumë të vizituara të Holtës së bashku me vëllanë Denis Sollaku e Dritan Sollakun 50-vjeç mik të familjes dhe disa persona të tjerë, pjesë e një gudie me 33 persona, të ndarë në dy grupe.

Por duket se dy grupet të ndara në 18 dhe 15 persona nuk kanë qenë të organizuara mirë duke humbur kontaktet. 7 personat humbën kontaktet me pjesën tjetër, ndërsa u morën nga rrjedha e ujit që u shtua si pasojë e prurjeve të larta nga reshjet e shiut.

Grupet e shpëtimit arritën që të nxirrnin nga kanionet fillimisht katër fëmijët, ndërsa më pas vëllanë e viktimës edhe mikun e familjes, ndërsa 25-vjeçarja u gjendet e pajetë.

Një turist tregoi tmerrin që përjetoi dhe si arriti që të shpëtonte vetë dhe njërin nga katër fëmijët nga rrjedha e lumit të Holtës që e mori përpara së bashku me shumë persona të tjerë që ishin brenda në kanion.

‘Ne kemi shpëtuar njëri tjetrin. Na i sillte rryma njëri tjetrin nëpër duar, aq e fortë ishte. Vajzën e pamë që e mori uji, por ishim shumë larg dhe nuk bënim dot asgjë.
Fëmijën që shpëtova ma solli dallga e ujit në duar. Ai ishte me të atin, të cilit i shpëtoi nga duart si pasojë e ujit të rrëmbyeshëm dhe ma solli mua në duar” tha ai.

Banorët e Holtës kanë treguar ngjarjen e sotme brenda kanionit që i mori jetën 25-vjeçares dhe rrezikoi shumë turistë të tjerë. “Ishin shumë persona në kanion, të tjerët dolën… Kjo që ndodhi është hera e parë. Nuk ka njeri që ti udhëzojë turistët, vetëm ajo që u themi ne” tha njëri prej tyre.

Ndërsa një tjetër banor theksoi se “Ngjarja ndodhi si pasojë e shirave të menjëhershëm. Turistët u futën por s’e kuptuan rrjedhjen e lumit. U mobilizuan të gjithë, por uji ishte i menjëhershëm dhe vajza nuk shpëtoi. Kjo njihet si zonë me prurje të menjëhershme, aq më tepër verës. Se kuptoj si nuk e kuptuan njerëzit brenda zhurmën e ujit” tha ai.

Kanioni i Holtës është një nga mrekullitë e natyrës dhe shumë e vizituar, por sot i mori jetën një vajze 25-vjeçe që u bllokua si pasojë e vërshimit të fuqishëm të ujërave nga shirat. Shkak i bllokimit të turistëve ishte jetë rritja e shpejtë e nivelit të ujit nga shirat që kanë rënë gjatë natës e mesditës së sotme si dhe nga përrenjtë që derdhen në kanionin e Holtës duke e kthyer në një përbindshëm që merr përpara gjithcka.

Artikulli paraprakPËSON DEFEKT NË MES TË DETIT ANIJA SHQIPTARE ME 27 PASAGJERË
Artikulli tjetërBIE NË KONTAKT ME RRYMËN ELEKTRIKE, HUMB JETËN PUNONJËSI 56-VJEÇAR I OSHEE