Gjokë Jaku është drejtori i i hipotekës së Shkodrës pas arrestimit të drejtorit të mëparshëm Zamir Leka. Jaku mban postin e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të hipotekës në Shqipëri.

Duke parë situatën e fundit dhe vështirësitë në hipotekën e Shkodrës pas rasteve korruptive dhe shkarkimit e arrestimit të disa zyrtarëve të këtij institucioni, drejtoria e përgjithshme ka vepruar menjëherë duke mos e lënë bosh vendit e drejtorit në hipotekën e Shkodrës.

Në këtë mënyrë Gjokë Jaku është prezantuar si kreu i ri në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Shkodër. Gjatë ditës së sotme është bërë edhe prezantimi i ri përpara punonjësve të mbetur në hipotekën e Shkodrës.

Tashmë pas arrestimit të drejtorit të mëparshëm Zamir Leka dhe shkarkimit të tij bashkë me disa zyrtarë të tjerë apo ndalimit të ish-juristit Mirjam Bletaj dhe procedimit të ish-juristes Frida Mirashi, drejtori i ri i komanduar që vjen nga qendra nuk do ta ketë të lehtë që ta normalizojë situatën.

Momentalisht hipoteka e Shkodrës pas kësaj goditjeje të prokurorisë dhe policisë është e trazuar ndaj do të duhet pak kohë që gjendja t’i rikthehet normalitetit. Gjokë Jaku nuk është një emër i panjohur pasi ka mbajtur disa detyra të rëndësishme në rang qëndror por edhe rajonal duke qenë në poste të ndryshme. Ai vjen nga radhët e Partisë Socialiste.

Ditët e fundit kreu i mëparshëm Zamir Leka u arrestua teksa ndodhej në zyrën e tij pasi akuzohet nga prokuroria dhe policia për korrupsion ndërsa ka dyshime se për një praktikë merrte 5 mijë euro apo edhe më shumë në disa raste dhe këtë sipas organit të akuzës e bënte i ndihmuar nga ish-juristja Frida Mirashi që u la në “arrest shtëpie”.

Përpara ish-drejtorit Leka prokuroria lëshoi urdhër ndalimi edhe për ish-juristin Mirjam Bletaj dhe disa sekserë të dyshuar që u merrnin para të tjerëve për praktika të ndryshme në zyrën e hipotekës së Shkodrës. Tashmë për një kohë të pacaktuar në hipotekën e Shkodrës do qëndrojë i komanduar zëvendës drejtori i përgjithshëm Gjokë Jaku.

Artikulli paraprakFRIKË NGA HELMIMI!? MOGHERINI REFUZON ÇAJIN RUS
Artikulli tjetër83-VJEÇARJA GJENDET E VDEKUR NË BANESË, KISHTE SHENJA DHUNE