Si askush më parë, Reali i Madridit fiton për të dytin vit radhazi Champions League, titulli i 12 për ta në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit në Europë. Madrilenët, njëkohësisht kampion edhe të Spanjës, triumfuan 4-1 në finalen e Kardifit kundër Juventusit.

Dy gola nga portugezi Ronaldo, një nga Casemiro e në fund goli i Asensio-s bënë të pavlefshëm supergolin e Mandzukic në pjesën e parë, duke i dhënë skuadrës së Zidane trofeun. Ndeshja nisi me Juventusin më kërkues dhe në presing. Higuain që në minutën e katërt dhe Pjanic në të 7-n vunë në vështirësi portierin Navas me goditje nga distanca. Por pas këtyre dy rasteve, ishte Reali që mori frenat e lojën nën kontroll, duke gjetur edhe golin në minutën e 20. Ronaldo kombinon bukur me Carvajal, i cili ja kthen sërish topin portugezit që ndihmohet edhe nga një devijim i vogël i Bonuccit dhe Buffon mposhtet për herë të parë në këtë finale.

Megjithatë, Juventus nuk dorëzohet dhe vetëm 7 minuta më vonë, kroati Mandzukic Realizon një kryevepër, ndoshta golin më të bukur të karrierës së tij. Alex Sandro merr një top të gjatë në krahun e djathtë, të cilin e fut në zonë, Higuain e dërgon te Mandzukic, i cili e kontrollon fillimisht me gjoks e më pas lëshon një goditje të jashtëzakonshme fluturimthi duke barazuar shifrat, të cilat mbetën të pandryshuar në 45 minutat e para. Me nisjen e pjesës së dytë, Reali u fut me një marsh më tepër duke dominuar dhe krijuar raste. Ishte minuta e 61, kur Casemiro e mposhti për herë të dytë Buffon-in.

Po ashtu si në golin e parë, edhe këtë topi u devijua pas goditjes së brazilianit nga një distancë e largët dhe përfundoi në rrjetë. Vetëm 3 minuta më pas, pa e marrë ende vetën nga goli i dytë, Juventusi pësoi edhe golin e tretë dhe të nokautit për ta. Sërish këtë herë ishte Ronaldo, ndërsa në fundin e kohës së rregullt Asensio e vulosi rezultatin në 4-1. Në fundin e takimit, Juventusi mbeti edhe me një lojtar më pak, pasi Cuadrado u ndëshkua me kartonin e kuq, pas dy të verdhëve. Finalja e Kardifit shkoi për Realin, por ky fakt mund t’i dhurojë edhe portugezit Ronaldo “Topin e Artë”, por kjo mbetet për t’u parë.