Korriku ka regjistruar më pak aksidente se një vit më parë. Në raportin e INSTAT-it theksohet se në muajin Korrik ndodhën 130 aksidente rrugore nga 148 aksidente të ndodhura në të njëjtin muaj të një vit më parë, duke u ulur me 12,2 %.

Në muajin Korrik 2020, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 168 persona nga 228 që ishte një vit më parë, duke u ulur me 26,3 %. Në muajin Korrik 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 14 persona nga 13 persona të vdekur në Korrik 2019.

Sa i përket 7 mujorit të parë të 2020 kanë ndodhur gjithsej 635 aksidente rrugore nga 862 të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë duke u ulur me 26,3 %, por duhet theksuar se për më shumë se dy muaj vendi ishte në karantinë totale si pasojë e COVID-it. Numri i të aksidentuarve në 7 mujorin e parë të vitit 2020 është 824 persona nga 1.188 persona, duke u ulur me 30,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.

Në muajin Korrik 2020, aksidentet rrugore, në 83,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 30,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 13,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në 7 mujorin e parë të 2020, aksidentet rrugore, në 16,1 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 12,1 % krahasuar me një vit më parë.