Një shqiptar është arrestuar nga Guardia di Finanza në komunën Belpasso në provincën e Catanias.

Ai është prangosur bashkë me një italian, pasi iu janë gjetur mbi 140 kilogramë marijuanë, të fshehura brenda kamionit dhe në një banesë.

Agjentët e GDF panë daljen e kamionit nga një shtëpi e veçuar, e dyshuar si vend për ruajtjen e substancave të ndaluara, dhe urdhëruan shoferin të ndalonte.

Shqiptari nuk iu bind urdhërit dhe tentoi të largohej duke goditur murin me kamion për të marrë arratinë nëpër fusha, por u gjurmua dhe arrestua në Piano Tavola të Belpassos.
Në kamion u gjetën gjashtë pako me rreth 23 kilogramë marijuanë.

Kontrolli në shtëpi solli zbulimin e 30 pakove të tjera me 119 kile marijuanë. Shqiptari përfundoi në arrest, ashtu si dhe katanezi, pronar i shtëpisë.