Kompania e vetme 1 trilion dollarëshe Apple është hakuar nga një 16 vjeç. Adoleshenti nga Australia u shpall fajtor për hakimin e rrjetit të Apple dhe shkarkimin e dokumenteve të brendshme.

 

Ai kishte arritur të aksesonte 90 gigabajt të dhëna duke thyer sistemin disa herë nga shtëpia e tij në Melburn. Dokumentet i ruajti në një folder “hacky hack hack.” Apple thotë se nuk janë kompromentuar të dhënat e konsumatorëve ndërsa gazeta lokale The Age thotë se në të vërtetë djaloshi ka hyrë në llogaritë e përdoruesve.

 

Menjëherë pasi zbuloi hakimin gjiganti i iPhone kontaktoi me FBI-në dhe çështja më pas u referua tek Policia Federale Australiane. Në shtëpinë e djaloshit u gjetën dy laptopë me numra serial të ngjashëm me ata kompjutera që kishin aksesuar sistemin.

 

Djaloshi ishte shprehur se endërronte që një ditë të punonte për Apple. Emri i tij nuk është bërë publik për arsye ligjore. Vendimi për të do të jepet me 20 Shtator.