11 shtatori 2001 është një plagë ende e hapur në SHBA, por edhe në botën perëndimore. Imazhet e avionëve që u rrëzuan në Kullat Binjake, dëshpërimi i njerëzve të bllokuar në ndërtesë solli një këmbanë alarmi në botë.

Sot amerikanët përkujtojnë 17 vjetorin e sulmit terrorist të Kullave Binjake të ndodhur në New York, përvjetori do të shënohet me tingëllimat e kambanave dhe duke lexuar emrat e gati 3 mijë personave që humbën jetën nga sulmi terrorist i Al-Qaedas.

Në të gjithë Amerikën do të mbahen aktivitete të tjera për të shënuar këtë ngjarje.

Ky sulm ishte kryer nga një grup prej 19 vetash rrëmbyes, islamikë radikalë, 15 prej të cilëve ishin nga Arabia Saudite, dy nga Emiratet e Bashkuara Arabe, një nga Egjipti dhe një nga Libani.

Mbi 3 mijë njerëz kanë humbur jetën kur rrëmbyesit përplasën aeroplanët mbi kullat binjake në Qendrën Botërore Tregtare, në New York, mbi ndërtesën e Pentagonit në Washington dhe në një fushë në shtetin Pennsylvania.

Në mesin e viktimave që humbën jetën ishin shtetas të më tepër se 70 vendeve dhe në mesin e tyre edhe tre shqiptaro-amerikanë.