Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro së bashku me presidentin e Trienales së Milanos, arkitektin e mirënjohur Stefano Boeri, hapën në Trianalen e Milanos ekspozitën “Rituali fotografik” me fotografi e negativë të Muzeut Kombëtar të Fotografisë Marubi, kuruar nga Zef Paci.

Kjo ekspozitë, është iniciuar e mbështetur nga Ministria e Kulturës, që shënon një ngjarje të rëndësishme në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, përshkon 100 vjet nga historia e Shqipërisë, përmes portreteve që kalojnë para kameras së Marubit e më pas të fotografëve të tjerë të cilët fiksojnë momente kyç të jetës njerëzore shqiptare.

Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro në këtë aktivitet u shpreh se, ”kultura si pasaportë sjell Shqipërinë në qendër të vëmendjes. Bashkë me presidentin e Trienales, Stefano Boeri dhe ambasadoren e Shqipërisë në Itali, Anila Bitri, shënuam një ngjarje të rëndësishme në Vitin e Skënderbeut, pjesë e programit të Ministrisë së Kulturës për vitin 2018”.

Rituali fotografik është kuruar nga Zef Paci dhe ruan kujtesën e mbi një shekulli jetë. Muzeu Marubi në Shkodër, i pari muze fotografie, i cili në datat 16 nëntor deri më 9 dhjetor 2018, paraqet në Triennale di Milano, ekspozitën e tij të parë në bashkëpunim me Museo di Fotografia Contemporanea dhe La Triennale.