Dy deputetë të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, të cilët do të marrin mandatin sot nga KQZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot për t’i dhënë mandatin dy deputetëve të rinj nga LSI dhe PDIU që zëvendësojnë Gledjon Rehovicën dhe Aqif Rakipin, të cilëve iu hoq mandati në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Kështu mësohet se deputeti më i ri nga radhët e PDIU-së do të jetë, Dritan Bici, ish-kryebashkiak i Gramshit.

Në listën e LSI-së në Qarkun e Beratit pas Rahovicës renditet Silva Caka, e cila pritet të marrë sot mandatin si deputete dhe të rifutet në Kuvendin e Shqipërisë. Ky është mandati i dytë për deputeten e re të LSI-së.

Në zgjedhjet e 25 qershorit ajo nuk arriti të futej direkt në parlament. Ndërsa në legjislaturën 2013-2017 ishte pjesë e Kuvendit të Shqipërisë dhe një prej deputeteve më aktive të grupit parlamentar të LSI.