Në Shqipëri sot kujtohet dita e rënies së bustit të diktatorit komunist Enver Hoxha 28 vjet më parë në qendër të kryeqytetit.Dhjetëra- mijëra qytetarë u ngritën më 20 shkurt të vitit 1991 për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

Rrëzimi i bustit të diktatorit Hoxha u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. 20 shkurti tani është caktuar si dita e kujtesës kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist.

Ajo shënoi në fakt edhe fundin e diktaturës në Shqipëri. Pamjet e atyre ngjarjeve, në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare. Rrëzimi i bustit të diktatorit Enver Hoxha do të shënonte edhe ndarjen me të shkuarën dhe fillimin e një epoke të re, atë të demokracisë.

Ndërkohë Përmes një statusi në Facebook, kreu i PD ka përkujtuar 20 shkurtin e vitit 1991, kur shqiptarët rrëzuan bustin e Enver Hoxhës. “Sot përkujtojmë 20 shkurtin 1991, ditën kur shqiptarët u bashkuan dhe shembën jo thjesht një statujë,

por simbolin e diktaturës më të egër të Europës, të etur për Liri dhe Demokraci, me ëndrrën më të madhe “Shqipëria si gjithë Europa”!”, shkruan Basha.

Më tej ai shton se 28 vite më pas, jemi përballë një sfide të ngjashme.“Një regjim antidemokratik, oligarkik, i ardhur në pushtet nga blerja e votave përmes krimit të organizuar, po zhbën ëndrrën e shqiptarëve për Shqipërinë si gjithë Europa.

Ndonëse nuk kemi shtatore për të rrëzuar, çdo ditë për ne është 20 shkurt, derisa të shembim sistemin që e mban Shqipërinë peng të krimit dhe korrupsionit duke varfëruar dhe shtypur përditë shqiptarët.

Qëllimi ynë është t’i japim atyre një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit. Vetëm kështu do ecim të sigurt drejt Europës”, shkruan Basha.

Më tej kreu i PD thekson se “Çdo ditë për ne është 20 shkurt derisa të shembim sistemin që e mban Shqipërinë peng të krimit dhe korrupsionit dhe t’u japim shqiptarëve një qeveri të njerëzve, për njerëzit dhe nga njerëzit”.