Në fillim të vitit 2017, Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, me anë të një postimi në blogun e saj, ka listuar 12 ngjarjet e ndodhura përgjatë vitit 2016, të cilat, sipas saj, duhet të vazhdojnë edhe gjatë vitit që sapo ka ardhur.

Mes tyre, është dhe rrugëtimi i Ballkanit drejt Bashkimit Europian, ku Mogherini veçon si të rëndësishme miratimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.   “Është e gjatë lista e momenteve të rëndësishme të vitit 2016 për raportet me Ballkanin. Kërkesa për anëtarësim e Bosnje-Hercegovinës, hapja e kapitujve të rinj të negociatave të Serbisë, i pari Këshill i Stabilizim-Asociimit me Kosovën, miratimi i reformës në drejtësi në Shqipëri pas 6 muajsh punë e përbashkët, që hap një fazë të re të integrimit të saj në BE. Është privilegj për mua që kam folur përpara Parlamentit në Tiranë. Ballkani është në zemër të Europës dhe e ardhmja e tij është në BE. Puna vazhdon për të zbutur plagët e së kaluarës për t’ju përgjgjur kërkesës për punë, në mënyrë të integruar dhe hapja e dritës jeshile sidomos për të rinjtë e këtij rajoni”, shkruan Mogherini në blogun e saj. Lidhur me Kosovën, veç postimit të Mogherinit, ka qenë dhe vetë ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, i cili në një intervistë për mediat kosovare, ka konfirmuar se mund të ketë dhe një tjetër mundësi për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë, por kushti kryesor është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi. Ndër ngjarjet e tjera, Mogherini veçon Strategjinë Globale për politikën e jashtme të BE-së, marrëveshjen për refugjatët dhe partneritet i vërtetë me Afrikën. Përgjigjja ndaj terrorizimit dhe puna për të ardhmen e Sirisë, por edhe thellimin  e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Iranin, Kubën, Kolumbinë, Afganistanin dhe vendet e Europës Lindore.

Artikulli paraprak“SUUS”, NDËR 24 KËNGËT MË TË MIRA TË EUROVISIONIT
Artikulli tjetërVOTIMI ELEKTRONIK, BETEJA E PD PËR 2017-ën