Viti që po lemë pas pritet të jetë i katërti me temperatura të nxehta rekord, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se trendi afatgjatë i ngrohjes së klimës vijon. Të dhënat tregojnë se temperaturat botërore ishin gati 1 Celcius mbi nivelet para-industriale përgjatë 10 muajve të parë të 2018-s.

Kjo vjen pas renditjes së viteve 2015, 2016 dhe 2017, si vitet më të ngrohta të regjistruara ndonjëherë më parë. Dhe sipas Organizatës Meteorologjike Botërore (WMO), 2019-ta me gjasë pritet të jetë edhe më i nxehtë se 2018-ta.

Sipas kësaj organizate, 20 vitet më të nxehta të regjistruara ndonjëherë janë shënuar 22 vitet e fundit dhe gjatë 5 viteve të fundit, nga 2014-ta deri në 2018-ën, temperaturat globale kanë qenë mesatarisht më shumë se 1 Celcius mbi nivelet para-industriale.

Përgjatë vitit 2018-të u vunë re shenja të tjera të ndryshimeve klimatike, si rritja e nivelit të deteve, ngrohja e oqeaneve dhe përmbajtje më të lartë acidi për shkak të thithjes së emetimit të karbonit, ashtu sikurse shkrirja e akullnajave.

Shenjat se “El Nino” mund të kthehet në Paqësor, një strukturë që ngre edhe më shumë temperaturat globale dhe ndikon në ngrohjen afatgjatë të klimës, WMO thotë se 2019-ta mund të jetë edhe më i nxehtë se viti që po lemë pas.

Në 2018-ën bota u përball me kushte ekstreme të motit. Kjo përfshin zjarret vdekjeprurëse në Kaliforni e Greqi, valën e të nxehtit dhe thatësirës në Europë, tajfune e uraganë, ashtu sikurse edhe përmbytje në vende si Kerala, India dhe Lindja e Afrikës.