Një 21 vjeçar me origjinë shqiptare u arrestua nga karabinierët në Foggia, pasi shpërndante lëndë narkotike në afërsi të shkollave.

Në pranga përfundoi Emiljan Broshka. Gjatë patrullimit në zonë, policia pikasi të riun shqiptar duke i dhënë “diçka” një djali tjetër në sheshin “Puglia”, i cili nisi menjëherë tymosjen.

I riu, i dyshuar për dorëzimin e dozës së substancës narkotike, u ndoq në një distancë. I vetëdijshëm për praninë e policisë, ai u përpoq të ikte por u ndalua në të njëjtin shesh.
Ai reagoi në mënyrë agresive ndaj policisë duke i dhunuar fizikisht.Gjatë transportimit për në makinë, Broshka hodhi në tokë një zarf.

Përpjekja e ngathët për të hequr qafe drogën nuk ka qenë e suksesshme, pasi policia gjeti paketimin që përmbante tetë doza prej 10 gram marihuanë.Në xhepa u gjetën edhe paratë që vërtetojnë aktivitetin e jashtëligjshëm.

Policët pas arrestimit njoftuan plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Pas formaliteteve në stacionin policor, ai u vendos në arrest shtëpie në dispozicion të Autoritetit Gjyqësor.