2 korriku i 2018-ës shënon plot 28 vite nga protesta e parë reale e shqiptarve kundër regjimit komunist të asaj kohe. Në atë ditë rreth 5000 mijë shqiptarë kapërcyen muret e ambasadave të huaja në Tiranë në kërkim të shpresës e lirisë.

Për herë të parë në historinë e tyre më të errët komuniste përgjatë thuajse 50 viteve, shqiptarët të izoluar hermetikisht nga bota e jashtme e qytetëruar, të etur për liri e drejtësi,

kryen aktin që tronditi mbarë opinionin ndërkombëtar duke tejkaluar dyert e ambasadave të huaja të akredituara në vendin tonë dhe duke hyrë brenda tyre në kërkim të azilit politik.

Në fakt kjo ishte edhe goditja më e rëndë që mori udhëheqja dhe qeverisja shqiptare në atë kohë nga populli i saj. Mijëra njerëz mbushën rrugët e Tiranës rreth ambasadave të huaja me qëllim që të futeshin brenda.

Vërshimi drejt ambasadave filloi pas orës 9 të mbremjes kur burra, gra e fëmijë, të paduruar, kapërcyen telat rrethues të ambasadave me shpresën për një jetë më të mirë.

Përpjekja e tyre e parë dështoi sepse policia arriti t’i zbrapste por sigurisht ata nuk u dorëzuan në nismën e tyre që kishin ndërmarrë. Vetëm brenda pak ditëve, oborret e ambasadave të Francës, Gjermanisë, Italisë e Greqisë u mbushën me qytetarët e irrituar shqiptar.

Qeveritë perëndimore duke parë mbipopullimin e territoreve të ambasadave dërguan ndihma humanitare që konstatuan në ushqime, vlerë monetare, medikamente. Tirana zyrtare me në krye Ramiz Alinë nuk i pranoi dhe i ktheu mbrapsht ndihmat.

Pas negociatave intensive me zyrën e lartë të refugjatëve në Kombet e Bashkuara dhe një vizitë në Tiranë te vetë sekretarit të përgjithshëm të OKB-së të asaj kohe, nisi procedura e paisjes me pasaporta të rreth 5 mijë refugjatëve.

Duke u gdhire 3 korriku i 1990-ës, nepërmjet portit të Durrësit ata u nisën drejt Italisë dhe më pas perëndimit mjaft të dëshiruar.

Kjo ishte ngjarja e parë e cila nisi një rrugë të re për Shqipërinë, rrugën e bashkimit në një farë mënyre me botën demokratike,

botën e lirë që deri në ato çaste jetonte në mendjet e të gjithëve si një ëndërr që papritur mëngjesin e 3 korrikut të 28 viteve të shkuara u bë realitet.