Ditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të zhvillohet seanca gjyqësore mes Taulant Ballës dhe Lulzim Bashës për akuzën e Ballës për 3.4 mln eurove në Toyota Auris.

Kjo është seanca e dytë që zhvillohet mes kreut të PD-së Basha, i cili do të përfaqësohet nga avokati i tij Gazment Bardhi, dhe deputetit të PS-së, Taulant Balla që do të jetë i pranishëm.

3.4 mln eurot u gjetën në 2 automjete “Toyota Auris” në Portin e Durrësit, për të cilën Basha akuzoi Ballën dhe kjo është padia e parë që do shqyrtohet lideri demokrat.

Ndërsa padia e dytë është ajo për dekonspirimin e operacionit të policisë. Lulzim Basha foli në parlament se ishin nisur drejt Shqipërisë një shumë e konsiderueshme eurosh brenda një automjeti “Toyota Yaris” ngjyrë e kuqe.

Më herët Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë në burg pa afat katër personat e arrestuar pas kapjes në portin e Durrësit, Edi e Klevis Lika, Alban Mollaymeri dhe Agim Çeka. Ndërkohë Alfred dhe Elvis Vladi janë shpallur në kërkim.

Operacionit policor për kapjen e 3.4 milion eurove në portin e Durrësit disa javë më parë i parapriu në parlament me një deklaratë nga Lulzim Basha në parlament më 21 Qershor 2018 për ekzistencën e një makine Toyota Yaris, brenda të cilës po transportoheshin 1.5 milionë euro.

Pikërisht kjo deklaratë ndryshoi planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit. Makinat supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës por devijuan rrugën e u nisën nga porti Barit.

LAJMET E FUNDIT NE KOHE REALE