Tre njerëz të drejtësisë do të dalin kësaj jave para Komisionit të Vetingut. Gjatë seanca dëgjimore do të sinjalizohet edhe vendimi për shkarkimin ose konfirmimin e tyre në detyrë.

Gjyqtari në Gjykatën e Apelit Gjirokastër, Enton Dhimitri, kandidat për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, do të dalë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit,

ditën e mërkurë, pra në datën 21 nëntor, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit të trefishtë, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Trupa gjykuese që po shqyrton dosjen e gjyqtarit Dhimitri përbëhet nga Xhensila Pine, Genta Tafa dhe Pamela Qirko. Po ditën mërkurë, para KPK do të dalë edhe Fiona Papajorgji, këshilltare ligjore në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkaq, një ditë më pas, në datën 22 nëntor, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të dalë prokurori në Prokurorinë e Përgjithshme, Artur Selmani. Trupa gjykuese që do të shqyrtojë dosjen e prokurorit Selmani përbëhet nga Roland Ilia, Firdes Shuli dhe Etleda Çiftja.

Ndërkaq, në datën 23 nëntor, para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit do të dalë gjyqtari në Gjykatën e Apelit Shkodër, Luan Dervishi, kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Trupa gjykuese që po shqyrton dosjen e gjyqtarit të Apelit të Shkodrës përbëhet nga Etleda Çiftja, Firdes Shuli dhe Pamela Qirko.

Ndërkaq, vendimi më i fundit i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është i datës 13 nëntor për shkarkimin e nga detyra të kryetares së Gjykatës së Korçës, Alma Liçaj, për shkak të mosjustifikimit të pasurive me të ardhura të ligjshme.

Ndërkaq, të premten e kaluar, KPK ka përzgjedhur me short 36 gjyqtarët dhe prokurorët e radhës të apelit, të cilët do t’i nënshtrohen Vetingut. Deri më sot, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë rreth 80 vendime për gjyqtarët dhe prokurorët.

Komisioni ka shkarkuar gati gjysmën e subjekteve që i janë nënshtruar kontrollit. Deri më sot, Kolegji i Posaçëm i Apelimit nuk ka rikthyer asnjë subjekt në detyrë, i cili është shkarkuar më parë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Artikulli paraprakÇIKAGO, TË SHTËNA ME ARMË NË NJË SPITAL
Artikulli tjetërRINIS TESTIMI PËR GRADËN ‘KOMISAR’, PAS AKUZAVE PËR KOPJE NDRYSHOHEN RREGULLAT