Erald Çinari, Denis Pjeshka dhe Ardit Krymi kanë kërkuar largimin nga Vllaznia.

Edhe pse janë duke vijuar përgatitjet me ekipin, ata janë në pritje të ofertave të huaja. Një kompani menaxhimi po mundohet që t’i transferojë jashtë vendit tre të rinjtë dhe një gjë të tillë ata ia kanë komunikuar edhe klubit.

Por, duket që vendimin do ta marrin sa më shpejt. Një gjë të tillë e bëri më shumë se të qartë Armando Cungu gjatë deklaratës së dhënë për mediat ditë më parë. Ai konfirmoi se gjatë fazës përgatitore kërkon që të stërvisë grupin e plotë, ndaj kush pretendon që të largohet, ta bëjë deri në fundin e muajit korrik.

Pritet që dy javët e ardhshme të jenë përcaktuese për të ardhmen e të rinjve. Në klub nuk duan që të bëhen pengesë, por nga ana tjetër prioritet i japin ndërtimit të skuadrës. “Jam informuar që disa sportistë kanë shprehur dëshirën për t’u larguar nga ekipi për të luajtur jashtë vendit. Por u bëj thirrje që ta ndajnë mirë mendjen.

Kur të nisemi për fazën përgatitore e dua grupin të plotë dhe nuk do lejoj rrjedhje 2-3 ditë para startit të kampionatit. Ata kanë afat që të vendosin deri në fund të korrikut. Vllaznia s’e ka luksin për të hequr lojtarë, por me zor nuk mbaj askënd në ekip”, pat thënë trajneri.