Situata nga përmbytjet në Shkodër kanë filluar të përmirësohen dhe sipas bashkisë së Shkodrës sipërfaqja e tokave të përmbytura është 3670 ha.

Bashkia thotë se Njësia Administrative Dajç ka rritje të nivelit të ujit, duke e cuar në 1414 ha, ndërkohë kërkohet të ndërhyhet për lartësimin e argjinaturës së Pentarit, Shirqit dhe Darragjatit.

Po në Njësinë Administrative Dajç janë mbi 150 shtëpi te rrethuara nga uji.
Në Anën e Malit sipërfaqja e tokave të përmbytura është 1200 ha dhe sipas bashkisë edhe këtu ka rritje të nivelit.

Në njësinë administrative Bërdicë janë mbi 530 ha tokë e përmbytur, ndërsa stacioni i pompave të Ujësjellësit në Trush si pasojë e përmbytjeve është jashtë funksionit.

Në Velipojë, janë të përmbytura mbi 340 Ha tokë dhe 15 shtëpi janë të rrethuara nga uji.
Në Rrethina janë të përmbytura 70 Ha tokë dhe 40 shtëpi të rrethuara nga uji.

Bashkia Shkodër ka bërë evakuime të banorëve dhe gjësë së gjalle kur janë paraqitur nevoja. Në këtë moment 27 persona janë të akomoduar në konvikt. Gjithashtu Bashkia Shkodër ka bërë të mundur edhe lëvizjen e banorëve dhe akomodimin e tyre tek të afërmit e tyre.

Bashkia Shkodër ka bërë një shkresë publike drejtuar Ministrisë së Mbrojtjes ku ka kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në këto njësi pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit.