Dështon mbledhja e KQZ-së që u thirr sot në orën 10:00 pas kërkesës së aleatëve të Lulzim Bashës për të nisur procedurat për dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 13 Tetorit. Në mbledhje u paraqit vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri. Katër anëtarët e zgjedhur nga shumica parlamentare nuk ishin në mbledhje, ndërsa Zguri theksoi se n/kryetari dhe anëtarët kanë deklaruar se janë me leje. Për mungesë të kuorumit mbledhja dështoi.

“Pa kuorum mbledhja nuk mund të hapet. Ju kërkoj ndjesë, nëse do të kemi mbledhje tjetër është e papërcaktuar deri tani. Kolegët kanë deklaruar se janë me leje dhe nuk janë. Ju falenderoj, mbledhja nuk mund të hapet, nuk mund të ketë diskutime, pasi nuk plotësohet kuorumi” tha Zguri.

Ndërsa përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka akuzoi se mungesa është e qëllimtë dhe politike. Ai tha se LSI-ja ditën e hënë do të sjellë kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet lokale të 13 tetorit.”Në respekt të dekretit të Presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve në 13 Tetor dhe afatit në 2 gusht, LSI, PR dhe PAA paraqitën kërkesën për fillimin e procedurave. 30 qershori u shfuqizua si datë zgjedhjesh nga Presidenti. Vetëm Kushtetuesja mund të shprehet për dekretin e Presidentit. Mungesa e anëtarëve është e qëllimtë, politike.

Dekreti i Presidentit është në fuqi dhe ne do të respektojmë parashikimet. Do të sjellim të hënën kërkesën për regjistrimin në zgjedhje. Kodi parashikon që KQZ-ja ka detyrimin të nisë procedurat dhe së pari duhet të merrte parasysh kërkesën. Në Kolegj? Do të ndjekim të gjitha hapat. Prevalon Kushtetuta mbi lejen e tyre vjetore” tha përfaqësuesi i LSI-së, Muharrem Caka.

Më herët në një intervistë për Report Tv, anëtari i KQZ-së, Bledar Skënderi tha se 30 qershori është një kapitull i mbyllur dhe se 13 tetori nuk është një datë zgjedhjesh, por ditë zyrtare pushimi. Mbledhja e KQZ u thirr dje nga Zguri, pasi aleatët e Bashës i dërguan një letër që mban firmën e Fatmir Mediut, kreut të PAA-së Agron Duka dhe Sekretarit të Përgjithshëm të LSI, ku kërkohet respektimi i dekretit të presidentit Meta për anulimin e 30 qershorit dhe caktimit të datës së re, të 13 tetorit.

Artikulli paraprakDEPUTETI SERB E THOTË HAPUR: KOSOVA ËSHTË SHTET I PAVARUR
Artikulli tjetërGJUMI I TEPËRT JU RREZIKON NGA DISA SËMUNDJE