Gjyqtari Artan Broci, i cili drejton njëherazi edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi do të përballet të premten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Pasuria e tij familjare kap një vlerë prej 44.5 milionë lekësh.

Artan Broci është njëherazi anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ai do të përballet të nesër me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, i cili përfaqësohet në këtë proces nga Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari.

Artan Broci e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës. Ai e ushtroi funksionin pranë kësaj gjykate deri në vitin 2010, kur u promovua në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Në prill të vitit 2013, Broci u dekretua anëtar i Gjykatës së Lartë.

Paralelisht me detyrën si gjyqtar, Broci ka qenë edhe asistent-pedagog në Fakultetin e Drejtësisë si dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ai është angazhuar si ekspert në disa projekte si dhe ka dhënë kontribut në reformën e drejtësisë për të miturit në Shqipëri.

Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale. Skeda grafike e mëposhtme paraqet ndryshimin e pasurisë së deklaruar të gjyqtarit Artan Broci nga viti 2003 deri në fund të vitit 2017.