Në nëntor 2018 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u rritur me 6.7%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më pare, njoftoi dje INSTAT, por duke u ulur me 9.9%, në krahasim me tetorin 2018.

Importet e mallrave gjatë këtij muaji, arritën vlerën 56 mld lekë, duke u rritur me 2.3%, në krahasim me një vit më parë dhe ulur me 3.9%, në krahasim me tetorin 2018.

Deficiti tregtar i këtij muaji është 29 mld lekë, duke u ulur me 1.5%, krahasuar me nëntor 2017 dhe rritur me 2.5%, në krahasim me tetorin 2018.

Por eksportet rezulton se kanë shënuar një ecuri pozitive gjatë 11 muajve të këtij viti, duke reflektuar performancën pozitive të naftës, mineraleve, metaleve e pjesëve të këmbimit, ndërsa sektori i tekstile e këpucëve, ka ngadalësuar rritjes, duke vuajtur pasojat e zhvlerësimit të euros.

Sipas statistikave të INSTAT, për periudhën janar-nëntor u shitën jashtë vendit 289 miliardë lekë, me një zgjerim prej 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Grupi kryesor i eksportuar mbeten tekstile dhe këpucë, me 115 miliardë lekë për 11 mujorin dhe me një rritje prej 6.3%. Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa mbetet e lartë nga partnerët italianë,

por ajo që po i dëmton është zhvlerësimi i euros, që u ul automatikisht 10% të të ardhurave. Tekstilet dhe këpucët përbënin 40% të totalit të eksporteve për perudhën janar-nëntor.

Grupi i dytë ka kaluar sërsh prej disa muajsh ai i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë”, me 18% të totalit. Ky grup, ndryshe nga viti i kaluar ka shënuar një ecuri pozitive, me shitjet që arritën në 53 miliardë lekë, me një rritje prej 33% me bazë vjetore,

duke pasur ndikimin më të madh në totalin e eksporteve. Rritja e aktivitetit të Bankers Petroleum si rrjedhojë e konjukturave ndërkombëtare, rigjallërimi i aktivitetit të minierave si rrjedhojë e investimeve në fundit dhe shitja e energjisë në gjysmën e parë të vitit ka ndikuar në këtë zgjerim.

Në muajin nëntor 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me nëntor 2017 janë: Kosova (34.9%), Spanja (63.9%) dhe Gjermania (22.4%).

Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-2.3%), Kina (-21.5%) dhe SHBA (-14.4 %).

Gjatë këtij njëmbëdhjetëmujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Italia (3.2%), Kosova (28.2%) dhe Spanja (66.4%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Kina (-34.3%), Ukraina (-47.1%) dhe Rusia (-24.1%).

Në muajin nëntor 2018, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me nëntor 2017 janë: Turqia (1.6%), Kina (3.3%) dhe Gjermania (5.8%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (-7.4%), Rusia (-64.6%) dhe Zvicra (-27.8%).