Urimet për ditën e mësuesve, 7 Marsin, i ka bërë edhe politika shqiptare.

Më mars të vitit 1887 në Korçë u hap mësonjëtorja e parë shqipe.

Dita e mësuesit është një festë, e cila i kushtohet personelit edukues të shkollave dhe universiteteve. Deri në fillim të viteve ’90 në Shqipëri, për të nxitur mësimdhënien e një cilësie sa më të lartë, mësuesit më të njohur shpërbleheshin me dekoratat e larta që ishin Mësues i Merituar dhe Mësues i Popullit.

Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndau një urim për mësuesit me rastin e 7 Marsit.

“Gëzuar 7 marsin, kolegë të mi mësues. Të jesh mësues është një titull nderi. 7 marsi është reflektim për më shumë mbështetje për arsimin. Arsim cilësor, për një Shqipëri më të mirë”, u shpreh Ruçi.

Gramoz Ruçi, studimet e larta i kreu në Institutin e Lartë Pedagogjik, dega Bio-Kimi. Nga viti 1971 deri në vitin 1978 ka ushtruar profesionin e arsimtarit.

Edhe kryetarja e Lëvizjes Socialisten për Integrim, Monika Kryemadhi, ka uruar mësuesit në ditën e tyre.

“Gëzuar 7 Marsin mësueseve tona që me dashuri dhe sakrifica mësojnë fëmijët dhe shpërndajnë dije. Pa arsim nuk ka të ardhme, ndaj asnjë hap pas për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve”, shkruan Kryemadhi në Facebook.

Në këtë ditë të veçantë, mësuesit e shkollave të Tiranës kanë marrë edhe një letër falenderimi dhe frymëzuese nga kryebashkiaku Erion Veliaj, përmes së cilës ai u uron 7 Marsin.

Në mesazhin drejtuar mësuesve, Veliaj vlerëson maksimalisht punën dhe përkushtimin e tyre në rritjen dhe edukimin e brezit të ri.

Veliaj nënvizon se në këto katër vite është duke u ndërtuar Tirana që plotëson nevojat e gjeneratës tjetër me çerdhe dhe kopshte, Tiranën me kënde lodrash dhe biblioteka në çdo lagje Tiranën me 17 shkollave të reja, pa mësim me dy turne dhe klasa kolektive.

“Kam krijuar një koalicion të jashtëzakonshëm me fëmijët, jo sepse i shoh si taksapagues ose votues, sepse nuk janë, por sepse janë agjentë të patrembur dhe idealistë të ndryshimit. Jemi duke ndërtuar Tiranën që plotëson nevojat e brezave të ardhshëm”, thekson ai.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës siguron se puna nuk do të ndalet me kaq, por do të vijojë për të përmirësuar infrastrukturën dhe kushtet në të cilat ata japin mësim.

Kryeministri Edi Rama ka uruar mësuesit në ditën që i dedikohet veprës së tyre dhe përkushtimit në dhënien e dijes.

Ka uruar mirëmëngjes në rrjetin social Facebook, duke postuar një foto me dërrasën e zezë, simbolin e shkollës, të shkruar në të me shkumës, Gëzuar 7 Marsin.

Artikulli paraprakBOLLINO: PROTESTA RREZIKON RRASKAPITJEN, OPOZITA PËRBALLË DY RRUGËVE NË 16 MARS
Artikulli tjetërZYRTARE, FSHF NDËRPRET FUTBOLLIN KËTË FUNDJAVË PAS BOJKOTIT TË ARBITRAVE