Zjarret pyjore në Suedi, të cilat u përhapën gjatë ditëve të fundit me rritjen e temperaturave të larta, arritën në nivel shqetësues.

Sipas lajmit të televizionit shtetëror të Suedisë, SVT, gjatë 24 orëve të fundit zjarret pyjore janë përhapur në 80 lokacione të vendit.

Zëdhënësja e Departamentit për Mbrojtje Civile, Erika Espino, bëri të ditur se në tre rajone të Suedisë është shpallur gjendje emergjente.

“Aktualisht zjarret pyjore në rajone të ndryshme të Suedisë kanë arritur në nivel shqetësues, në 80 rajone të shtetit po luftohet me zjarret pyjore. Në rajonet Gevla, Dalarna dhe Jemland është shpallur gjendje emergjente”, thotë ajo.

Espino njofton se po vazhdojnë aktivitetet për shuarjen e zjarrit nga ajri dhe toka, në mënyrë që zjarret që kanë shpërthyer në fusha pyjore të mos përhapen në drejtim të vendbanimeve.

Ajo po ashtu bën të ditur se kanë kërkuar ndihmë nga Italia, shtet i cili ka avionë me kapacitet për të bartur 6.000 litra për një herë.

Një numër i madh i vendbanimeve në rajonin Jemland janë evakuuar, ndërkaq edhe banorët në qarqet Olindal, Herjasjön dhe Herjedalen pranë këtij rajoni kanë filluar të evakuohen.

SVT njofton se vendi po përjeton verën më të nxehtë në 66 vitet e fundit. Si pasojë e temperaturave të larta ekstreme në rajone të shumta janë regjistruar zjarre pyjore.

Artikulli paraprakJO VETËM TE GABI, NË KËTO DY DYQANE SHQIPTARËT SHPENZUAN 46 MILIONË EURO NË 2017-N
Artikulli tjetërREVISTA FORBES: GEORGE CLOONEY, AKTORI MË I PAGUAR NË BOTË