Një vit pas vdekjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agollit, do të mungojnë edhe intervistat e tij, të mbushura plot me sinqeritet e dashuri për njerëzit dhe jetën.

Dritëro Agolli lindi më 13 tetor 1931, në Menkulas të rrethit të Devollit, afër Korçës, dhe u nda nga jeta më 3 shkurt 2017 në Tiranë.

Në këtë 87-vjetor të lindjes së tij, e bija Elona Agolli”, kujton lidhjet e të atit me vendlindjen dhe me jetën në fshatin Devoll. Ai atje e kishte shpirtin. Atje nis edhe zanafilla që u bë një shkrimtar i madh. Nisi të bëhej shkrimtar i frymëzuar nga përrallat e gjyshes.

“Ndikimi i këngëve popullore, i Naimit, Çajupit, i gjithë leximeve të mia deri atëherë dhe i gjyshes sime që ka qenë një romanciere e madhe, në këtë kuptim, që tregonte përralla dhe histori.

Dhe në përgjithësi, jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën, romancierët e para kanë qenë gjyshet tona. Ato tregonin përralla dhe romani ç’është? Një përrallë që tregohet me tre vetë.

Domethënë një i mirë, një i keq dhe një që ndërhyn midis tyre për t’i ndarë.”. kështu ka rrëfyer Dritëro Agolli gjatë intervistave me gazetarët, shumë vite më parëm, në njërën nga intervistat që Elona Agolli e ka nxjerrë nga arkivat familjare.

Është jeta e treguar aty. Është vetë Dritëro Agolli, ndaj këto rrëfime marrin tjetër vlerë në ditën e lindjes së shkrimtarit.

Dritëro Agolli vjershën e parë e ka botuar në vitin ë 1947, në gazetën “Rinia” (më vonë u bë “Zëri i rinisë”). “Në jetën time, sipas meje, ka dy momente të rëndësishme kulturore dhe intime. Shkuarja në gjimnazin e Gjirokastrës, që më bëri të bija në kontakt me një kulturë më të gjerë qytetare, jo vetëm takimi me shokët, me Kadarenë, Agim Shehun e të tjerë. Leximet e njëjta, këmbimet. Dhe pastaj shkruaja në Shën Petërburg ishte ngjarja më e madhe. Atje e kuptova se ç’ishte kultura.

Atje nuk është vetëm kthesa më e madhe e jetës për optimizmin, por edhe për trishtimin. Për atë që mendoja në atë kohë për Shqipërinë. Pse të mos kishim edhe një hapësirë kaq të madhe kulturore.

Ishte një mori gjërash që m’u ngjallën atje, po edhe jeta intime. Marrëdhëniet me vajza, me gra, me të dashura. Në Shqipëri nuk kishte liri për këto marrëdhënie atëherë.

Nuk mund të dilje për krahu me një vajzë pa qenë i martuar me të. Atje edhe koncepti për moralin ishte ndryshe.”, ka rrëfyer Agolli për biografinë e tij.

Dhe Agolli e ka pranuar gjithmonë pa asnjë kompleks se ka qenë një shkrimtar i angazhuar.

“Të jesh shkrimtar do të thotë të mos qëndrosh indiferent ndaj problemeve që ka sot shoqëria, vendi. Të jesh shkrimtar, do të thotë të jesh i angazhuar, të jesh zëri i kombit tënd.”, shprehej Dritëro Agolli.