NDAJ DY PUNONJËSVE TË POLICISË RËNDON AKUZA E SHPËRDORIMIT TË DETYRËS DHE FALSIFIKIMIT. Dy punonjës të policisë së Vlorës janë arrestuar mbrëmjen e së martës pasi i kishin nxjerrë pasaportë të falsifikuar skafistit Viron Robaj, të shpallur në kërkim për tragjedinë e 9 janarit të vitit 2014, ku humbën jetën 21 persona. Robaj u arrestua nga policia italiane në janar të këtij viti me anë të gjurmëve të gishtave.

Autoritetet e shtetit fqinj njoftuan Interpolin shqiptar pas zbulimit të pasaportës false dhe nga hetimet rezultoi se ishin inspektori Leonel Begaj dhe kryeinspektori Lirim Lamaj në komisariatin e Vlorës që kishin pajisur të kërkuarin nga drejtësia me pasaportë biometrike me gjeneralitetit e një personi tjetër. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, arrestoi në orën 22:00 të 3 shkurtit, inspektorin Leonel Begaj me detyrë pranues për dokumentacionin e personave që aplikojnë për t’u pajisur me pasaporta në komisariatin e Vlorës, si dhe kryeinspektorin Lirim Lamaj me detyrë ndihmë specialist në komisariatin e Vlorës. Ndaj dy punonjësve të policisë prokuroria e Vlorës kishte lëshuar urdhër ndalime për “Shpërdorim Detyre” dhe “Falsifikim të Dokumenteve”. Pas një hetimi intensiv të policisë gjyqësore të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Vlorë, rezultoi se inspektori Begaj në bashkëpunim me kryeinspektorin Lamaj i kanë dhënë pasaportë false Viron Robajt, skafistit i cili ishte shpallur në kërkim për tragjedinë e 9 janarit. Dy punonjësit e policisë i kanë dhënë Begajt më 27 nëntor të vitit 2014, një pasaportë me gjeneralitetet e një personi tjetër me inicialet F.K. Robaj u arrestua në Itali më janar të 2015-ës nga policia e shtetit fqinj, e cila e ka identifikuar me anë të gjurmëve. Pikërisht nga pala italiane u zbulua se i shpalluri në kërkim Viron Robaj udhëtonte me pasaportë të rremë. Sinjalizimi i zyrës së Interpolit shqiptar për këtë rast, çoi në nisjen e hetimeve nga Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, ku u zbulua se ishin dy punonjësit e komisariatit të Vlorës që kishin pajisur me pasaportë false të kërkuarin për tragjedinë e 9 janarit.  Më 9 Janar të 2014-ës Viron Robaj është dënuar nga Gjykata e Vlorës me vendim të formës së prerë me 25 vjet burg, për kalimin e paligjshëm të kufirit me skaf nga Vlora drejt Italisë.