Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) ka vendosur disa rregulla të reja, që sjellin automatikisht lehtësimin e pritjes tradicionale të radhëve të gjata nëpër sportelet e degëve të saj. Tani, shumë nga shërbimet, sikurse ndodh edhe me procesin e kolaudimit, do të mund të kryhen edhe me rezervimin paraprak online.

Shërbimet

Njoftimi zyrtar i kësaj Drejtorie bën të ditur se nga data 20 gusht kjo praktikë tashmë ka hyrë në fuqi. Ja mesazhi i DPSHTRR:

Nga 20 Gushti, tjetëri risi nga DPSHTRR! Organizoni ditën tuaj pa humbur kohë në radhë të paparashikueshme! Rezervoni orarin tuaj të takimit në www.dpshtrr.gov.al te DRSHTRR Tiranë, në Kashar për 9 shërbimet kryesore: Ndryshimi i pronësisë mbi mjetin (kur zotëron kontratën e shitjes), kontratë shitblerje për mjetin; humbja, vjedhja, shkatërrimi ose dëmtimi i targës/targave; humbja, vjedhja, shkatër

rimi ose dëmtimi i Lejes së Qarkullimit; ndryshimi i vendbanimit të pronarit të mjetit; ndryshimi i gjeneraliteteve të pronarit të mjetit; ndryshimi i karakteristikave konstruktive dhe funksionale të mjetit; çregjistrim i përkohshëm i mjetit dhe çregjistrim i përhershëm i mjetit.

Sipas Drejtorisë, me anë të kësaj praktike, lehtësohen 45% e praktikave në rang vendi dhe një numër prej 60.000 praktikash në vit, me shërbime të dedikuara për qytetarin!

Patentat

Kjo risi vjen pas asaj të datës 15 gusht, që ka sjellë lehtësimin e procesit të marrjes së kartonit të leje drejtimit të makinave. Tashmë pas mbarimit të procedurave të provimit të teorisë dhe praktikës, në momentin e aplikimit për kartonin e patentës, qytetarët do të marrin lejen e drejtimit në dorë për 30 minuta.

Sipas zv.drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Endri Haxhiu, “një risi dhe një lajm i mirë që qytetarët është edhe tërheqja e kartonit në vetëm 30 minuta. Duke pasur parasysh se deri në nëntor të vitit 2018 duhej 15 ditë minimumi, kjo është një risi fantastike dhe i lehtëson jetën qytetarëve. Ky projekt po aplikohet për herë të parë në Tiranë dhe do të shtrihet në gjitha drejtoritë e tjera rajonale në të gjithë Shqipërinë. Në Tiranë, për faktin se 45% e drejtuesve të mjeteve ndodhen në Tiranë. Çka është më e rëndësishmja, kjo procedurë do të jetë pa tarifë ekstra”, u shpreh për Report Tv Haxhiu.

Njohja ndërkombëtare

Ndërkohë për bashkombasit tanë që jetojnë në Itali, prej datës 8 shtator do të njihet leja e drejtimit të lëshuar prej vitit 2017, kjo falë marrëveshjes mes dy qeverive asaj shqiptare dhe italiane. Kjo marrëveshje pritet te realizohet dhe me vende të tjera si Greqia e Serbia. “Po kështu, jemi në procedura dhe me Gjermaninë”, tha Haxhiu.

Testimi

Një projekt tjetër që pritet të realizohet, është monitorimi në livestream i testit të praktisës për marrjen e patentës. “Të gjitha mjetet e autoshkollave në momentin që do të kryejnë testin praktik do të kenë të instaluara kamera dhe do të monitorohen në livestream nga zyrat qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit rrugor”, deklaroi zv.drejtori Haxhiu.

Nëntë shërbimet, për të cilat mund të kryhet rezervim online nga 20 gushti në Tiranë

Ndryshimi i pronësisë mbi mjetin (kur zotëron kontratën e shitjes)

Kontratë shitblerje për mjetin

Humbja, vjedhja, shkatërrimi ose dëmtimi i targës/targave

Humbja, vjedhja, shkatërrimi ose dëmtimi i Lejes së Qarkullimit

Ndryshimi i vendbanimit të pronarit të mjetit

Ndryshimi i gjeneraliteteve të pronarit të mjetit

Ndryshimi i karakteristikave konstruktive dhe funksionale të mjetit

Çregjistrim i përkohshëm i mjetit

Çregjistrim i përhershëm i mjetit.

Artikulli paraprakKUR DO TË JETË GATI STADIUMI I KUKËSIT, INVESTIM 5 MILIONË EURO PËR 8 MIJË VENDE
Artikulli tjetërBLINDOHET QYTETI FRANCEZ, 13,200 POLICË DHE XHANDARË MOBILIZOHEN PËR SIGURINË E G7-ËS