Befasitë në Shkodër sa i përket skuadrës së Vllaznisë janë të mëdha. Prej kohësh pritej që ekipi të rikthehej fushës së blertë për t’u përgatitur për sezonin e ri edhe pse kësaj rradhe do të luajnë në Kategorinë e Parë. Gjatë kësaj përiudhe që kur Vllaznia ra nga kategoria të shumtë kanë qënë emrat që janë përmendur se mund të marrin drejtimin e këtij ekipi.

 

Disa prej tyre përfliteshin si favorit e disa të tjerë që edhe u vetëofruan vetëm që si e si të rikthejnë edhe një herë ekipin më të vjetër të futbollit shqiptar në elitë. Pritet që në mënyrë zyrtare të prezantohet edhe administrator i ri i klubit për të nisur më pas puna për skuadrën kuqeblu. Në pankinë mendohej se do të ishte sërish Ervis Kraja trajner i cili e drejtoi ekipin në dy ndeshjet e fundit të kampionatit të kaluar.

 

Nga sa bëhet më dije në krye të kësaj pankine mund të mos jetë as Kraja as Martini apo ndokush tjetër që janë përmendur më parë. Së fundmi bëhet e ditur se trajner i ekipit shkodran mund të jetë Hasan Lika i cili sezonin që lamë pas ka drejtuar skuadrën e Luftëtarit duke i kualifikuar për herë të parë gjirokstritët në kupat e Europës. Mes tij dhe administratorit të ri që pritet të emërohet Suad Licit përflitet se është arritur një marrëveshje edhe pse ende asgjë nuk është zyrtare.

 

Duke marrë parasysh që tek skuadra e Vllaznisë pretendohet bashkëpunimi me një emër të njohur siç është Lika natyrisht që edhe kostoja e tij financiare për të ardhur në drejtimin e kuqebluve është e konsiderueshme në një kohë kur klubi ndodhet në një krizë financiare me 1 miliard e 400 milion lekë të vjetër detyrime dhe një kaos total ekonomik. Për sezonin e ri arka e klubit është e boshatisur.

 

Pavarësisht kësaj tek Vllaznia kërkojnë stofin e një trajneri të shtrenjtë siç është Hasan Lika aq më tepër kur shkodranët do jenë në Kategorinë e Parë. Duket si një tjetër fryrje e kotë financiare për klubin duke marrë parasysh se shumë emra të tjerë mund ta bëjnë me më pak para aq më tepër kur askush nuk e diskuton se nxjerrja e Vllaznisë në Superligë nuk duhet të jetë aspak e vështirë.

 

Në këto kushte tingëllon e pakuptueshme deri diku ardhja e një trajneri si Hasan Lika që natyrisht do ketë me vete edhe stafin e tij, një tjetër kosto shtesë. Ky i fundit e di se çfarë do të thotë të punosh në Shkodër sepse e ka provuar më përpara të jetë trajner i Vllaznisë.

 

 

Artikulli paraprakZA FEST, MUZIKA DHE NATYRA BASHKË NË ALPE
Artikulli tjetërAKADEMIA VLLAZNIA GATI PËR NISJEN E PËRGATITJEVE