Policia e Shtetit ka reaguar nëpërmjet një deklaratë për shtyp pas akuzave të opozitës lidhur me abuzimin seksual ndaj 14 vjeçares në Kavajë nga një grup bashkëmoshatarësh të saj pas shantazheve me foto dhe video intime.

Policia thekson se denoncimi është bërë nga e ëma dhe e mitura në datën 29 janar rreth orës 11:45 minuta të paradites, pasi garancisë absolute për anonimatin e vajzës 14 vjeçare.

Gjithashtu policia bën të ditur se ka reaguar në kohë duke identifikuar abuzuesit, vetëm pak orë pas denoncimit, mëngjesin e datës 30 janar.

Sipas policisë, në datën 01.02.2019, rreth orës 17:30, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kavajë, ka mbërritur urdhri i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës,

për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, datë 01.02.2019, së bashku me shkurtimin e vendimit të Gjykatës. Për këta shtetas ishte marrë masa e sigurisë “Arrest me burg”.

“Nga ana e strukturave policore është organizuar puna dhe u morën masat për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Durrës, datë 01.02.2019, dhe në datë 02.02.2019, në orën 07:00 të mëngjesit, filluan veprimet për gjetjen e tyre.

Si rezultat i masave të marra, u bë i mundur shoqërimi dhe arrestimi i 7 prej tyre, ndërsa 1 u shpall në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.

Deklarata e plotë e Policisë
Njoftim për shtyp
Nisur nga keqinterpretimi dhe keqpërdorimi për përfitime të ndryshme, që iu bë dhe vijon t’i bëhet ngjarjes së ndodhur në Kavajë, sqarojmë opinionin publik se:

Në datë 29.01.2019, rreth orës 11:45 minuta është paraqitur në Komisariatin e Policisë Kavajë shtetasja e mitur e shoqëruar nga nëna e saj.

Pas marrjes së garancisë absolute nga ana Policisë se do t’i ruhej anonimati vajzës, e ëma së bashku me vajzën pranuan të bënin kallëzim në lidhje me çfarë kishte ndodhur.

Nisur nga mosha e mitur, u vu në dijeni Prokurorja e gatshme e Seksionit për të Mitur, pranë Prokurorisë Durrës, e cila me marrjen dijeni për këtë fakt, ka shkuar menjëherë në Komisariatin e Policisë Kavajë duke asistuar në të gjitha veprimet procedurale të kryera.

Gjithashtu gjatë procedurës, të miturës iu sigurua pjesëmarrja e një avokati mbrojtës dhe një psikologe, në zbatim të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur.

Pas marrjes së kallëzimit, nga ana e Prokurores së gatshme u lanë detyra me shkrim, lidhur me veprimet, që do të kryheshin nga ana policisë në vijimësi.

Në zbatim të detyrave të lëna dhe me qëllim dokumentimin ligjor të veprës penale, u janë marrë deklarime personave, që mund të kishin dijeni për ngjarjen: mësueses kujdestare, psikologes së shkollës e drejtoreshës së shkollës, si dhe u kryen një sërë veprimesh procedurale të tjera.

U bë identifikimi i të gjithë shtetasve të dyshuar për këtë ngjarje dhe në datë 30.01.2019, rreth orës 08:40, (pasi bazuar në paragrafin 3, të nenit 77, të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, ndalohet marrja në pyetje e të miturit gjatë natës, nga ora 22.00 deri në 08.00)

është bërë intervistimi i tyre, si persona nën hetim për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal, duke u pyetur në prani të prindit, psikologut dhe avokatit mbrojtës.

Gjithashtu me shtetasit e shoqëruar u kryen dhe veprime me metoda speciale të hetimit dhe materiali u dërgua për vlerësim pranë Prokurorisë. E dëmtuara u dërgua për ekspertim mjeko-ligjor pranë Mjekësisë Ligjore Tiranë, e shoqëruar nga shërbimi i Policisë.

Në vijim të komunikimit me Prokuroren e çështjes, materialet e përpiluara u referuan pranë Prokurorisë Durrës, në Seksionin për të Mitur, në ngarkim të 8 të miturve si të dyshuar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale apo homoseksuale me të mitur”, parashikuar nga neni 100 i Kodit Penal.

Në datë 01.02.2019, rreth orës 17:30, në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Kavajë, ka mbërritur urdhri i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës,

për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, datë 01.02.2019, së bashku me shkurtimin e vendimit të Gjykatës. Për këta shtetas ishte marrë masa e sigurisë “Arrest me burg”.

Nga ana e strukturave policore është organizuar puna dhe u morën masat për ekzekutimin e vendimit gjyqësor të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Durrës, datë 01.02.2019, dhe në datë 02.02.2019, në orën 07:00 të mëngjesit, filluan veprimet për gjetjen e tyre. Si rezultat i masave të marra, u bë i mundur shoqërimi dhe arrestimi i 7 prej tyre, ndërsa 1 u shpall në kërkim.

Me kërkesën e të dëmtuarës dhe të ëmës dhe duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës, si dhe në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, e konkretisht: Neni 10 “Parimi i interesit më të lartë të fëmijës” -“Organet kompetente në çdo vendim dhe veprimtari të ndërmarrë në zbatim të këtij Kodi, duhet të vlerësojnë me përparësi interesin më të lartë të të miturit”.

Nenit 21 “Mbrojtja e jetës private të të miturit”, Paragrafëve 2 dhe 4, ku përcaktohet se:

– Nuk publikohet asnjë informacion që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale.

– Ndalohet identifikimi ose publikimi në çfarëdolloj forme i të dhënave personale të të miturit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Policia e Shtetit, nuk ka bërë njoftim mbi rrethanat e detajet e ngjarjes, por në raportin ditor ku pasqyrohen ngjarjet e datës 02.02.2019, ka pasqyruar shumë shkurt pa të dhëna e detaje ekzekutimin e masave të sigurisë dhënë nga Gjykata.

Policia e Shtetit shpreh keqardhje për keqpërdorimin e rastit duke synuar keqinformimin e opinionit, dhe për të fajësuar Policinë se fshehu ngjarjen, por në të vërtetë reagimi i Policisë ka qenë profesional dhe në kohë.

Artikulli paraprakPRESIDENTI META TAKIM ME SEKRETARIN E SHTETIT TË SHBA-SË
Artikulli tjetërPOLICIA DREJTUESVE TË AUTOMJETEVE: SHKELJET TUAJA NUK KONSTATOHEN VETËM NGA NE