Kolegji i Posaçëm i Apelimit shtyu me 31 maj 2018 seancën lidhur me shqyrtimin e ankimimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit kundër vendimit për pushimin e Vetting-ut ndaj Adriatik Llallës.

Ish-Kryeprokurori nuk është i pranishëm në seancë, pasi ndodhet jashtë Shqipërisë, dhe përfaqësohej nga avokati Sokol Hazizaj.

Gjatë seancës avokati deklaroi se klienti i tij nuk ka pasur dijeni për ankimimin e Komisionierit Publik nga ky institucion por e ka mësuar nga mediat. Se kishte komunikuar me Adriatik Lallën para dy- tre javësh, përmes bashkëshortes.

Ndërsa komunikimi i drejtëpërdrejtë i fundit i avokatit me Adriatik Llallën kishte qenë edhe më herët. Pasi trupa gjykuese u tërhoq për 30 minuta u vendos që seanca e shqyrtimit të shtyhet për t’i dhënë kohë subjektit rivlerësues të njihet me ankimimin.

“Të përsëritet njoftimi i ankimit për subjektin e rivlersimit” u shpreh kryetari i trupit gjykues Sokol Çomo.

Trupa gjykuese që do gjykojë çështjen Nr.1/2018(JR), datë 27.03.2018, për ankimin e Komisionerit Publik kundër Vendimit Nr.2, datë 16.02.2018 të KPK-së për subjektin e rivleresimit z.Adriatik Llalla, përbëhet nga; Sokol Como, Luan Daci (relator), ish-kryeprokurorja Ina Rama, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari.

Ish kryeprokurori, Adriatik Llalla hoqi dorë nga e drejta për emërim në Gjykatën e Apelit duke përjashtuar kështu veten automatikisht nga procesi i vetingut. Referuar paketës ligjore në fuqi,

LLalla duhej të priste përfundimin e procesit të vettingut dhe nëse e kalonte këtë filtër, menjëherë merrte detyrën e anëtarit të Gjykatës së Apelit. Përballë kërkesës së heqjes dorë nga ky proces, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të ndërpresë procesin e vettingut ndaj tij.