Një plan sekret i Policisë së Shtetit, SHISH, prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese të partnerëve europianë, do të vihet në zbatim këtë fundvit.

Agjentë të anti-terrorit do të shpërndahen në të gjitha pikat kufitare, portet detare dhe në aeroportin e Rinasit, për të vëzhguar dhe parë nëse në vendin tonë do të tentojnë të hyjnë persona që janë pjesë e grupeve ekstremiste, apo që kanë prirje radikale.

Ky plan është pjesë e planit të masave që Policia ka ndërmarrë për mbarëvajtjen e festave të fundvitit, por nuk ka detaje për mënyrën e organizimit dhe shpërndarjes së agjentëve në terren.

Të njëjtat burime, i konfirmuan Shqiptarja.com, se agjentët e anti-terrorit kanë një listë me persona, shtetas të huaj, të cilët kanë prirje ekstremiste dhe do të bëhet vëzhgimi i pikave kufitare, nëse ndonjë nga këta persona, do të kërkojë të hyjë në Shqipëri.

Dyshimet për një kalim në vendin tonë, kanë ardhur pas lëvizjes së dy iranianëve që u hoqën si gazetarë në Shqipëri. Kjo ngjarje u pasua edhe me dëbimin e ambasadorit Iranian nga Shqipëria, si edhe të një tjetër zyrtari të ambasadës iraniane.