Kompania e parë ajrore shqiptare “Air Albania” ka nisur zyrtarisht fluturimet ditën e sotme. Destinacioni i parë i linjës së re është Tiranë-Stamboll-Tiranë me 80 studentët e ekselencës.

Ndërsa do të ketë edhe destinacione të tjera në qytetet europiane si Roma, Londra apo Milano.

I pranishëm në Rinas në ceremoni ishte edhe kryeministri Edi Rama. Ai tha se studentët e ekselencës janë këmba më e mbarë për të nisur historinë e fluturimeve të kompanisë së parë ajrore shqiptare.

Këtë fluturim të parë të muajit të testit e bëjnë studentët dhe maturantët e ekselencës, është një fluturim simbolik. Gjatë gjithë muajit do të ketë disa të tillë.

Arsyeja se përse na shkoi mendja te ju, është sepse jeni, fytyra e ndritur e gjeneratës tjetër dhe meritoni që të keni të gjithë vëmendjen dhe respektin dhe njëkohësisht edhe një dhuratë simbolike për gjithçka keni bërë.

Erdha vetëm të përcjell grupin tuaj dhe jam i bindur jeni këmba më e mbarë për kompaninë tonë të flamurit. Tani do ia jap fjalën një vajze, që e kam takuar për herë të parë në gjimnazin ‘Ali Demi’ në Vlorë, ndërsa sot është studente e ekselencës. Bëjmë dhe pak metra bashkë dhe ju vazhdoni lart, ne vazhdojmë të tërheqim këmbën zvarrë këtu në tokë

Kryeministri hipi në bordin e avionit duke u dhënë një porosi para nisjes studentëve;

Rrugë të mbarë, silluni mirë atje dhe mirë se të ktheheni për vitin e ri shkollor

Më pas Rama zbriti nga bordi, ndërsa avioni i parë i linjës ajrore shqiptare nisi fluturimin drejt Stambollit. Avionët do të mbajnë emrat e poetëve shqiptarë.

I pari, mban emrin e Lasgush Poradecit. Rama tha dje se në fund të vitit të ardhshëm, kjo kompani do të ketë edhe një linjë direkte Tiranë-Nju Jork dhe ky avion do të mbajë emrin e “Imzot Nolit”.

Kompania shqiptare pritet që të ofrojë më shumë mundësi për fluturime “loë cost” nga Shqipëria. Tre ortakët e saj janë “Albcontrol” me 10%, që përfaqëson palën shqiptare, dhe dy subjekte të tjera, “Turkish Airlines” dhe “MDN Investment” me 49 dhe 41%