Akademia Vllaznia ka ndryshuar drejtorin e saj duke emëruar në krye Arben Galiqin i cili ka në administrim kompaninë e sigurimeve Intersig në qytetin e Shkodrës. Në fakt afrimi i një biznesmeni mund të duket si një hap pozitiv por në këtë rast është e kundërta. Arben Maliqi është kunati i sponsorit të Vllaznia sh.a Alban Xhaferri. Fakti që një sposnsor ndikon tek kryetarja e bashkisë apo bordi i Vllaznisë për të emëruar kunatin e tij tek akademia është një nepotizëm i hapur që më shumë se sjell zhvillim ka efektin e kundërt negativ në të tilla raste.

Është e paqartë se cilat janë arsyet e kësaj lëvizjeje të papritur që është bërë ditët e fundit duke sjellë kunatin në krye të akademisë një person i cili nuk lidhje me sportin e aq më tepër me pozicionin e drejtorit organizativ të një hallke delikate siç është akademia.

Fakti që kunati vjen në rolin e drejtorit të akademisë tregon hapur se sponsori Xhaferri është ai që menaxhon tashmë plotësisht klubin Vllaznia duke sfumuar qoftë kryetaren e bashkisë e cila e ka lejuar ta bëjë një gjë të tillë, bordin drejtues që vijon të tregohet thjeshtë formal dhe administratorin Suad Lici duke mos pyetur asnjërin. Ky nuk është i vetmi problem.

Prej disa kohësh akademia Vllaznia ka rritur tarifat e saj për sportistët. Kështu tarifa që ka qenë 30 mijë lekë të vjetër është bërë 50 mijë lekë të vjetër dhe tarifa që ka qenë deri më tani 50 mijë lekë të vjetër është rritur në 70 mijë lekë të vjetër. Ky vendim është marrë sërish me kërkesën e sponsorit Xhaferri duke shtuar tarifën për prindërit e sportistëve edhe pse zyrtarisht është bordi drejtues që e ka firmosur.

Rritja e tarifës në një qytet të varfër si Shkodra siç vetë kryebashkiakja e thotë shpesh herë nuk është aspak normale duke qenë se jo të gjithë kanë mundësi që të paguajnë këto shuma për shkak të situatës ekonomike.

Kjo ka bërë që shumë futbollistë në pamundësi për të përballuar këto shuma t’i drejtohen akademive të tjera duke mos zgjedhur Vllazninë. Rritja e tarifave, vendosja në pozicione drejtuese e të afërmve si në rastin e akademisë nuk i shërbejnë klubit por përkundrazi çojnë në hapa pas për kuqeblutë.

Artikulli paraprakM.MADHE, BANORËT: DËGJUAM DISA LLOJE KRISMA ARMËSH
Artikulli tjetërOPERACION ANTIDROGË/ ARRESTOHEN 2 PERSONA NË SHKODËR, SEKUESTROHEN 8 KG DROGË