Në një prononcim avokati Maks Haxhia, tha se e gjithë mbrojtja sot në gjykatën e Krimeve të Rënda ishte bërë nga vetë ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Ai e quajti një mbrojtje brilante dhe prova përballë të cilave prokuroria nëse do të ksihte dinjitet, siç u shpreh avokati, do të duhej ta pushonte çështjen në moment. Nga ana tjetër, Maks Haxhia tha se prokuroria ishte shumë dobët me provat pasi kishte sjellë në proces edhe materialet nga Italia, ku autoritetet atje i kanë gjykuar dhe kanë pushuar çështjen në ngarkim të Tahirit.

“Mbrojtja e Saimir Tahirit ishte brilante dhe ishte individuale, e ka shkruar vetë ai pjesën e tij. Gjej rastin të vlerësoj gjithë përkushtimin që ai ka bërë në njohjen e procesit dhe sjelljen e provave të reja që e vënë në mungesë totale prokurorinë përballë provave. E kam dëgjuar para 7-8 muajsh që do kërkojë prokuroria 12 vjet.

Ky është një proces i paramenduar dhe paravlerësuar. Unë nxjerr konkluzionin nga mënyra e sjelljes. Materialet e Italisë janë gjykuar në Itali, janë organe të specializuara jo të korruptuara. Duke qenë e gjykuar gjykata shqiptare gjithë materialet e Italisë duhej t’i kishte hequr. Prokuroria ka sjellë gjithë materialet e Italisë që ato janë gjykuar, dhe autoritetet italiane kanë vendosur pushimin e çështjes në ngarkim të Tahirit.

Edhe kur ju drejtua parlamentit tha që bazë kemi vetëm materialet italiane, por Italia e pushoi çështjen ndërsa në Shqipëri e lidhën me 2 oficerët e policisë për ta vënë zotin Tahiri para përgjegjësisë penale”, tha Maks Haxhia.

I pyetur nga gazetari Arsen Rusta nëse prokuroria i paraqiti prova konkrete që faktojnë akuzat e tyre për implikim të ish-ministrit në trafik droge në bashkëpunin me grupin Habilaj, avokati Maks Haxhia u përgjigj: Atë pyetje e kemi bërë gjatë gjithë fjalës dhe gjatë gjithë procesit në hetim e gjykim, që cilat janë episodet dhe cila është lidhja e veprimeve të Tahirit, cila është ndihma që ka dhënë ish-ministri.

Por çfarë do të ndodhë nëse gjykata vendos të dënojë Tahirin? “Nëse dënohet do t’i drejtohemi gjykatave më të larta”, u përgjigj avokati Haxhia.

Prova më e fortë që sipas tij Tahiri paraqiti para togave të zeza, ishte një e-mail ëqë Gjergji Kohila, zyrtar policie në Vlorë, i kishte dërguar në vitin 2016, prokurorit Dritan Prenci, pikërisht një nga prokurorët që sot kërkuan 12 vite burg për ish-ministrin, ku i raportonte për Mojsi Habilajn dhe referimet që duheshin bërë për dyshimet për trafik droge.

“Të gjitha materialet e prokurorisë ishin copy-paste dhe jo të bëra mirë, prokuroria po të kishte pak dinjitet do të pushonte hetimin. Gjergj Kohila i ka dërguar e-mail prokurorit që ishte në seancë për Mojsi Habilajn. E-mail ja ka dërguar para tre vjetësh””. tha Haxhia.