Një aksident ka ndodhur një ditë më parë në Shkodër. Një mjet në hyrje të qytetit të Shkodrës ka humbur kontrollin dhe ka rënë disa metra poshtë. Ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites në afërsi të kishës së Zojës.

Një mjet tip benz C Klas ngjyrë gri ka qenë duke shkuar nga Shkodra në drejtim të Bushatit kur papritur ka dalë nga rruga dhe ka rënë poshtë rrugës. Pavarësisht aksidentit në dukje të frikshëm drejtuesi i mjetit ka shpëtuar.

Pasi ka dalë vetë nga makina është transportuar drejt spitalit rajonal të Shkodrës. Sipas burimeve spitalore drejtuesi i mjetit ka marrë disa dëmtime në trup por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas aksidentit në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë për të bërë hetimet e plota mbi këtë aksident të ndodhur.

Sipas burimeve nga dëshmitarët që kanë parë këtë aksident, mjeti tip Benz ka ardhur me shpejtësi nga rruga dytësore tek prokuroria dhe pasi është futur në kthesë drejt rrugës kryesore aty ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka rënë disa metra poshtë duke bërë që mjeti të përmbyset.

Nga shpejtësia mbrojtëset metalike nuk kanë arritur që të ndalin mjetin. Megjithatë fakti që është përplasur me mbrojtëset por edhe disa pemë poshtë kanë bërë që mjeti tip Benz të mos përfundojë në ujërat e lumit Buna.

Dëshmitarët kanë treguar se aksidenti ka qenë i frikshëm për shkak se automjeti përfundoi disa metra poshtë rrugës kryesore. Në këtë vend edhe më përpara kanë ndodhur aksidente të tjera ku mjete të ndryshme herë pas here kanë përfunduar duke rënë poshtë si shkak i shpejtësisë.

Pas këtij aksidenti një mjet erdhi dhe nxori mjetin tip Benz nga vendi ku kishte rënë. Aksidentet në Shkodër vazhdojnë që të jenë një problem