Bota vazhdon të jetë e tronditur nga lajmi i së dielës për aksidentin ajror me helikopter ku humbën jetën legjenda e NBA, Kobe Bryant, vajza e tij Gianna dhe 7 persona të tjerë bashkë me pilotin.

Policia e Los Angelesit vazhdon të jetë në vendin e ngjarjes për të mbledhur prova për atë çfarë ndodhi në Calabasas dhe gjetjen e trupave të viktimave gjë që u konfirmua nga Jennifer Homendy, anëtare e Bordit Kombëtar të Transportit dhe sherifi i Kontesë së Los Angeles, Alex Villanueva.

‘Skena e aksidentit ishte vërtet e tmerrshme. ne do të qëndrojmë në të 5 ditë për të mbledhur prova. nuk jemi këtu për të përcaktuar shkakun e aksidentit. Nuk do ta përcaktojmë atë në vendin e aksidentit’ , shprehet Jennifer Homendy.
Homendy theksoi se helikopteri nuk ishte i pajisur me kutinë e zezë, për faktin se ai tip mjeti nuk e kërkonte diçka të tillë,

ndërsa Alex Villanueva theksoi se do të duhet ende kohë për të gjetur trupat e viktimave për shkak të fuqisë së përplasjes së helikopterit dhe terrenit të vështirë. ndërkaq, Philippe Lesourd një pilot dhe instruktor që ka një eksperiencë 29 vjeçare tha për AFP se shkaku i aksidentit mund të ketë qenë mjegulla me pilotin që humbi kontrollin e helikopterit për shkak të vizibilitetit të dobët.

Ndërkaq në Los Angeles, tifozët vazhdojnë të bëjnë homazh për këtë legjendë të NBA pranë Staples Center, ndërkohë që drejtuesit e Ligës Amerikane të Basketbollit vendosën të shtyjë derbin e Los Angelesit mes Clippers dhe Lakers e parashikuar të luhej këtë të martë.