Një aksident i ndodhur në orët e vona mund t’i kishte rrezikuar jetën shtetasit Ardit Sadiku. Ai po udhëtonte me mjetin e tij tip Audi A4, me targë AA 202 PF kur papritur është aksidentuar.

I riu ka qenë në dalje të qytetit duke shkuar në Bushat atje ku edhe jeton. Papritur një mjet i ka prerë rrugën dhe shtetasi Ardit Sadiku është dashur që të devijojë nga rruga në mënyrë që të mos përplaset me makinën tjetër.

I riu që ndodhej në mjetin tip Audi pas hetimeve paraprake të grupit të ekspertizës rezultoi se ishte me një shpejtësi të madhe. Bashkë me mjetin e tij ka fluturuar për rreth 40 metra duke përfunduar kështu në oborrin e një banese në anë të rrugës Shkodër-Tiranë.

Shtetasi Ardit Sadiku është futur në mes të një grumbulli me bar të thatë dhe më pas ka rënë oborrin e shtëpisë. Bari i thatë e ka bërë që të shpëtojë sepse në të kundërt përplasja e mjetit të tij me tokën si shkak i shpejtësisë do të kishte qenë më e madhe.

Për fatin e mirë si shkak edhe i orës së vonë në oborrin e shtëpisë nuk ndodhej askush duke patur kështu vetëm dëme materiale. Ardit Sadiku është dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës por ka rezultuar jashtë rrezikut për jetën pasi ka marrë vetëm një goditje në shpatull.

Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forcat e policisë duke bërë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij aksidenti. Prania e banesave apo shpesh edhe objekteve të tjera siç janë njësitë tregtare në anë të rrugëve gjithnjë mbeten burim aksidentesh.

Në oborrin e kësaj banese në anë të rrugës ku ndodhi ky aksident kanë ndodhur edhe 5 aksidente të tjera por fatmirësisht deri më tani anëtarët e asaj familjeje kanë shpëtuar. Nga ana tjetër aksidentet vijojnë të mbeten një shqetësim në Shkodër.