Aksidenti tragjik i Qerretit, ku humbi jetën Aliçe, 3 vjeç, dhe vëllai i saj Dritani, 5 vjeç, vazhdon të konsiderohet një histori e pambyllur për Prokurorinë.

Megjithëse Prokuroria e Tiranës i konsideroi të plota hetimet për ngjarjen tragjike të majit të vitit 2016, duke dërguar si të pandehur 4 kolaudues të rrugës Durrës-Kavajë, një prokurori tjetër,

ajo e Durrësit ka shpallur moskompetencën dhe ka dërguar te Krimet e Rënda në Tiranë, pjesën e dytë të kësaj dosjeje për hetime të mëtejshme.

Prokuroria e Krimeve të Rënda, ka regjistruar çështjen për dyshimet e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës, përderisa aksi pranë një pike karburanti u certifikua si i kalueshëm nga Autoriteti Rrugor.

Kjo gjë ndodhi atëherë, kur në të vërtetë në këtë rrugë mbrojtëset anësore metalike nuk ishin të standardizuara dhe nuk ishte mbyllur hapësira lidhëse me një pikë karburanti.

Në dosjen e parë, Prokuroria deklaroi se dy fëmijët, të cilët po udhëtonin së bashku me të ëmën për të takuar babain në burg, u vranë për faj të kushteve të rrugës dhe jo për shkak të mbishpejtësisë.

Prokuroria konstatoi asokohe se, nëna e dy fëmijëve, e cila mbeti e plagosur, nuk kishte shkelur asnjë rregull të Qarkullimit Rrugor,

por se aksidenti i Qerretit ndodhi pasi autoritetet shtetërore kishin lejuar që ky aks të përdorej jashtë çdo kushti të sigurisë për jetën.