Një nga të plagosurit në aksidentin e ndodhur në Maqedoni ku humbën jetën 15 persona është një shtetas nga Shqipëria.

I aksidentuari është 46 vjeç dhe quhet Fiqiri Mici me origjinë nga Kukësi dhe me banim në periferi të Tiranës.

Lajmi u konfirmua nga doktori që kryesoi ekipin e mjekëve që iu dhanë ndihmën e parë të aksidentuarve në rrugën Shkup-Tetovë, Ridvan Bajrami

Mici sipas bisedave që kishte bërë me bashkudhëtarët po kthehej nga Turqia.

Ndërkohë mjeku i konsideruar si hero, i cili bëri gjithçka që të shpëtonte sa më shumë të aksidentuar për 27 orë me radhë tha se po bën gjithçka mundet që ta shpëtojë kuksianin, sepse ia ka borxh pasi është diplomuar në Tiranë.

Autobusi u përmbys në kilometrin e shtatë të autostradës Shkup-Tetovë, mbrëmjen e së mërkurës së 13 shkurtit, ku për pasojë gjetën vdekjen 15 persona, kurse disa të tjerë janë në spital të plagosur. Tri prej tyre janë në gjendje të rëndë.