Mbrëmja shoku për klubin profesionist të futbollit. Tre lojtarët e ekipit të Championship në Angli, Derby County janë përfshirë në një aksident automobilistik, ku për fatin e tyre të mirë nuk ka pasur viktima në njerëz.

Mason Bennett, Tom Lawrence dhe Richard Keogh ishin në makinën tip “Range Rover Sport” ku ndodhi aksidenti dhe si pasojë vetëm kapiteni, Keogh mori plagë të rënda. 33 vjeçari ka pësuar një dëmtim të gjurit, lëndim që do ta lë jashtë fushave për pjesën e mbetur të sezonit.

Ndërkaq, klubi anglez ka dalë në një deklaratë për shtyp ditën e sotme, ku dënon veprimin e lojtarëve, ndaj të cilët paralajmëron masa ndëshkimore.

“Si një klub, ne nuk mund të lëmë pa dënuar veprimet e një grupi të vogël lojtarësh. Të martën në mbrëmje, lojtarët ishin pjesë e një darke të shtruar nga klubi. Por, ndërsa gjysma e tyre veproi me përgjegjësi dhe u larguan rreth orës 8 të mëngjesit, një grup i vogël, përfshirë kapitenin, Richard Keogh vazhduan të pinin sërish, duke mos ditur të ndalen. Jo vetëm kaq.

Ata kanë injoruar mundësinë për të udhëtuar me makinat e vendosura në dispozicion nga klubi dhe më pas historia dihet. Si rezultat i një incidenti të lidhur me alkoolin, Richard Keogh ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju që do të parandalojë të inkuadrohet në fushë deri në fund të sezonit. ”

“Lojtarët e përfshirë në incident të martën në mbrëmje do t’i nënshtrohen një hetimi të brendshëm rigoroz nën kodin e sjelljes së klubit dhe procedurave disiplinore. Ata do t’i shërbejnë komunitetit, duke ndihmuar zhvillimin e qytetit.

Ne kemi qenë shumë të qartë në lidhje me qëndrimin tonë ndaj alkoolit dhe lojtarët e dinë që në momente të caktuara dhe specifike të sezonit atyre u lejohet një pije së bashku si një grup në një mjedis të kontrolluar.

Ata që janë përfshirë në incidentin e së martës, do të paguajnë një çmim të rëndë për veprimet e tyre, por do të mbështesin ata për tu rehabilituar përsëri në skuadër dhe ekip,” thuhet në njoftimin e klubit.

Në 8 javët e para, Derby County ka grumbulluar vetëm 8 pikë duke qënë në rrezik për qëndrimin në kategori. Kujtojmë që pas janarit, pankinën e skuadrës do e marrë futbollisti legjendar i Manchester United, Wayne Rooney, i cili do të jetë edhe në rolin e lojtarit te klubi me mjaft histori në Angli.