Kryeministri Edi Rama nis ditën e sotme një vizitë dy-ditore në Kosovë. Rama do të ketë një axhendë të ngjeshur ku do të takohet me udhëheqësit e vendit, nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Avdullah Hoti, Kryeparlamentarja Vjosa Osmani si dhe liderët e partive në Kosovë.

Pas takimeve, burime konfirmojnë se Rama do të zhvillojë ditën e nesërme një konferencë për shtyp nga Kosova

Kjo vizitë zhvillohet në një kohë mjaft të vështirë për Kosovën, pas ngritjes nga Prokurori Special në Hagë të aktakuzave për krime lufte ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli.

Në lidhje më aktakuzat, Rama mbajti një fjalim të gjatë dhe mjaft të goditur ditën e enjte nga foltorja e Kuvendit ku tha se Haga për 21 vite ka zhvilluar një drejtësi selektive, ku asnjë serb s’u hetua për krime lufte në Kosovë, vetëm shqiptarët

Me vendimin për ngritjen e aktakuzave kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, Edi Rama tha se u përmbys peshorja mes viktimës që ishin shqiptarët e Kosovës dhe xhelatit të luftës, që ishte Serbia.

“Serbia s’ishte viktima, por agresori dhe se Beogradin nuk e bombardoi Thaçi me Veselin, por bota demokratike”, u shpreh Rama në mbrojtje të luftës dhe atyre që luftuan për Kosovën e lirë.

3 ditë më parë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi erdhi në Shqipëri, por pa specifikuar arsyet apo edhe nëse do të zhvillonte takime në Tiranë. Në lidhje me ngritjen e aktakuzave, ditën e sotme do të flasë edhe Hashim Thaçi, i cili e kishte paralajmëruar këtë konferencë për ditën e djeshme, por e shty për sot.