Aktakuzë për krime lufte kundër Fatmir Limajt

 

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Fatmir Limaj, për veprën penale “Krimi i Luftës kundër popullatës civile”. Sipas aktakuzës, rasti ka të bëj me vrasjen e dy civilëve: Ramiz Hoxha nga fshati Bellanicë dhe Selman Binishi nga fshati Banjë, komuna e Malishevës, të cilët me datë 02 nëntor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari. Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i UCK-ës dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarr masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. Sipas aktakuzës, i pandehuri Fatmir Limaj , i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarr masa drejt zbulimit të kryesve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje.

Limaj: Përgjegjësinë për vrasjen e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm

Pas aktakuzës së ngritur sot nga Prokuroria Speciale kundër Fatmir Limajt, për veprën penale “krimi i luftës kundër popullatës civile”, ka reaguar vetë Limaj. Limaj në një postim në “Facebook” ka thënë se lidhur me këtë aktakuzë është hetuar së paku tri herë, dhe në të tri rastet hetimet janë mbyllur, për shkak të mungesës së provave. “Edhe pse as vetë prokuroria nuk e di kush janë vrasësit e atyre civilëve, ajo më bën mua përgjegjës pse nuk e paskam parandaluar apo ndaluar dhe pastaj hetuar vrasjen e dy civilëve për të cilët as në aktakuzë nuk dihet se kush janë vrasësit e atyre civilëve”, ka shkruar Limaj ndër të tjera. Prokuroria e Kosovës sot ka dalë me një aktakuzë kundër meje për një rast të cilin unë jam hetuar së paku tri herë. Dy herë nga UNMIK-u dhe një herë nga Tribunali i Hagës. Në të tri rastet për mungesë të provave hetimet kundër meje janë mbyllur dhe kjo dëshmohet edhe nga shkresat hetimore të lëndës të cilat sot i mora nga prokuroria. Të vetmin arsyetim në të cilin prokuroria e mbështet aktakuzën është se vrasjet kanë ndodhur në territorin për të cilin prokuroria pretendon se në atë kohë ka qenë territor i brigadës 121 të UÇK-së. Edhe pse as vet prokuroria nuk e din kush janë vrasësit e atyre civilëve, ajo më bën mua përgjegjës pse nuk e paskam parandaluar apo ndaluar dhe pastaj hetuar vrasjen e dy civilëve për të cilët as në aktakuzë nuk dihet se kush janë vrasësit e atyre civilëve. Shtrohet pyetja, si mund të bëhesh përgjegjës pse nuk kam parandaluar diçka për të cilën fare nuk kam qenë në dijeni se mund të ndodhë. Gjithashtu në aktakuzë thuhet se nuk është bërë asgjë për t’u hetuar rasti. Nga shkresat e lëndës del se në atë kohë përgjegjësinë për këto vrasje përmes një komunikate e ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Aty ka përfunduar kompetenca ime sepse unë në atë kohë nuk kam qenë anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Nga kjo që thash më lartë del qartë se këtu nuk kemi të bëjmë më përpjeke për të ndriçuar rastin dhe fajtorët të marrin dënimin e merituar. Këtu është duke u keqpërdorur ky rast në mënyrë që të vazhdojë përndjekja kundër meje. Kjo besoj tanimë për të gjithë është e qartë. Familjarët e viktimave me të drejtë presin ndriçimin e rastit dhe zbulimin e fajtorëve dhe jo tragjedia e tyre familjare të shfrytëzohet për qëllime tjera.

Artikulli paraprakZBULOHET LETRA E 1943,BALLISTET:TE MOS LUFTOHET KUNDER GJERMANEVE
Artikulli tjetërZV.MINISTRI MAQEDONAS SHKAKTON AKSIDENT DHE IA MBATH, POLICIA I VIHET NGA PAS