Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar në pikë kufitare të Morinës një sasi prej 762 kg produkte ushqimore jashtë afatit të përdorimit.

Ngarkesa me yndyrë gatimi, majonezë, ketchup dhe xhel karameli ishte nisur nga Kosova dhe pretendohej për ri-eksport në Shqipëri.

Inspektorët e Drejtorisë Rajonale AKU në Kukës, gjatë kontrollit konstatoi se përveç skadencës këto produkte nuk përputheshin me dokumentacionin që shoqëronte këtë ngarkesë, konkretisht raport-analizat nuk i përkisnin këtyre produkteve.

DRAKU Kukës nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ngarkesa me produktet ushqimore jashtë afatit të pëdorimit u kthye në vendin e origjinës.

AKU thotë se me ndryshimet në Kodin Penal, që do të miratohen së shpejti, masat ndëshkuese ndaj kujtdo që abuzon me sigurinë ushqimore do të jenë tejet të ashpra dhe parashikojnë dënim me burg. Siguria ushqimore është prioritet i punës sonë, prandaj nuk do të ketë tolerim për asnjë rast abuzimi.