Të gjithë subjektet që operojnë në ata sektorë që konsiderohen me risk të lartë do të jenë vazhdimisht në fokusin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.

Kreu i këtij institucioni, Agim Ismaili, u shpreh se njoftimet e fundit për tonelata të tëra të ushqimeve të skaduara janë reflektim i punës rutinë,

ndërkohë që kanë ndikuar për të rritur sensibilizimin e publikut për të bërë denoncime, por edhe të bizneseve për të marrë masa për t’u përmirësuar.

Shtatori dhe tetori, sipas tij, do të kenë në fokus fast-food-et dhe njësitë e shërbimit përreth shkollave, ndërkohë që thekson se është e rëndësishme që produktet të blihen të shoqëruara me etiketë dhe kupon,

pasi vetëm kështu mundësohet edhe gjurmueshmëria që është shtylla kurrizore në sigurinë ushqimore.

Kohëve të fundit ka pasur një seri publikimesh lidhur me aksionet e AKU në terren që kanë rezultuar me kapjen e sasive të konsiderueshme të produkteve që nuk përmbushin kriteret ligjore. A është ky një kontroll rutinë i AKU apo jemi përpara një aksioni specifik?

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka respektuar vetëm planin fillestar të miratuar për kontrollet vjetore, duke pasur si orientim gjithmonë riskun.

Ky plan është zbatuar edhe në të kaluarën, por nuk ka dhënë rezultate, duke qenë se kontrollet kanë qenë formale dhe nuk kanë lënë gjurmë askund.

Praktikisht AKU nuk ka kryer detyrën. Ajo që ne po bëjmë është thjesht respektimi i kuadrit ligjor ekzistues.

Sipas bazës së të dhënave, për subjektet janë përcaktuar kontrollet, duke pasur parasysh edhe indikatorë të tjerë, si lloji i veprimtarisë apo aktiviteti që kanë.

Duke zbatuar të njëjtat akte rregullatore, përmirësuam disa dokumente pune, siç janë listë-verifikimet me synimin e bërjes së tyre eficiente dhe të gjithë ata që hasen në shkelje të ndëshkohen, ashtu siç e parashikon ligji.

Ata që kanë shkelje të vogla të paralajmërohen e kështu me radhë, sipas konstatimit.

Bizneset me risk primar, si dyqanet e mishit, thertoret, baxhot, importuesit e plehrave kimike dhe farmacitë bujqësore u njoftuan përmes një letre, për ato që AKU do të kontrollonte në mjediset e tyre, duke ju dhënë mundësi që të reflektonin dhe të plotësonin kërkesat e nevojshme.

I kemi vënë në dijeni për shkeljet që hasim më shpesh, u kemi dërguar listë-verifikimet, në mënyrë që ata të vetëkontrollohen dhe në fund u kemi bërë të ditur edhe pasojat.

Ne kemi konstatuar në terren se ka biznese që kanë investuar seriozisht për të garantuar standardet dhe cilësinë, ashtu siç kemi hasur edhe raste ku subjektet, duke mos plotësuar kushtet,

kanë vendosur të mbyllin aktivitetin, në mënyrë vullnetare e të tjerë që janë gjetur në shkelje, i kemi mbyllur ne.

Mënyra e re e qasjes me vetëkontrollin na krijon mundësinë që ne të inspektonim në distancë operatorët sipas aktivitetit, t’i grupojmë ata dhe, nga ana tjetër, të kishim edhe të drejtën morale të kontrollit në terren, pas paralajmërimit.

Pavarësisht këtyre duhet të theksoj se shtylla kryesore në sigurinë ushqimore është gjurmueshmëria e produkteve.

Kjo do të thotë që çdokush që prodhon, transporton apo tregton, duhet të mbajë në regjistër të dhëna të plota për çdo furnizim të lëndës së parë dhe për çdo shpërndarje të produktit final.

Këtu përjashtohet vetëm konsumatori final. Gjurmueshmëria është një dispozitë shumë e rëndësishme për garantimin e sigurisë ushqimore dhe ligjvënësi në vitin 2008, kur miratoi ligjin për ushqimin te dispozitat kalimtare,

urdhëroi qeverinë që aktet ligjore dhe nënligjore për gjurmueshmërinë e ushqimit të miratoheshin brenda një viti nga hyrja në fuqi e ligjit.

Në fakt, nga viti 2008, vendimi për gjurmueshmërinë u miratua vetëm në vitin 2015 dhe është zbatuar në fund të vitit 2017 dhe gjatë 2018.

Kryesisht, cili ka qenë fokusi i kontrolleve, sepse ka pasur përveçse sasive të ushqimeve të bllokuara, edhe një mori restorantesh?

Të parat mbeten njësitë e mishit dhe bulmetit, duke respektuar riskun. Por nuk kanë munguar kontrollet, edhe në njësi si restorante.

Ajo që ndesh në Shqipëri është një kontrast mes restoranteve dhe lokaleve shumë luksoze dhe restorante e mensa në zonat periferike, që janë shumë larg të qenët në standardet e sigurisë ushqimore.

Ne i kemi njoftuar këto kontrolle dhe kemi vënë re që kjo ka pasur ndikim pozitiv edhe në publik, ashtu sikurse ka ndodhur me produktet e skaduara, ku sasitë e kapura janë në nivele të larta.

Një situatë e tillë ka dhënë ndikim edhe te bizneset, të cilat janë ndërgjegjësuar dhe sasia e produkteve që vetë ato njoftojnë se ju ka kaluar afati i konsumimit është rritur.

Për shembull, gjatë sezonit veror, ne kemi bllokuar 106 tonë ushqime, ndërsa vetë bizneset, në mënyrë vullnetare, kanë njoftuar për mbi 200 tonë.

Këto produkte shkatërrohen me kostot e vetë biznesit, por nën mbikëqyrjen e AKU.

Ka propozime se duhet të rishikohet edhe pjesa që lidhet me ndëshkueshmërinë, duke bërë ndoshta edhe ndërhyrje në Kodin Penal. Ju si e gjykoni këtë?

Në fakt, ne kemi zhvillime edhe për sa i përket reagimit penal të rasteve. Ne si AKU kemi bërë mbi 60 kallëzime për vepra penale për prodhimin e mallrave të rrezikshëm dhe prodhimin dhe shitjen e mallrave në mënyrë të kundërligjshme.

Për të parën, kemi konstatuar që dispozita pamundëson ndëshkimin e dikujt për arsye se e kushtëzon konfirmimin e veprës me ardhjen e pasojës shumë të rëndë, shoqëruar me 9 ditë raport.

Mirëpo këto raste, kur ne e kapim prodhuesin, personat që mund të kenë konsumuar produktin, jo domosdoshmërisht pasojat i kanë të menjëhershme.

Ndërsa për prodhimin e kundërligjshëm të mallrave i kemi çuar në ndjekje për sensibilizimin.

Në botë, siguria ushqimore merret seriozisht. Për shembull, në Kaliforni, ka Kod Penal Ushqimor, kurse Italia kriminalizon shumë rëndë krimin ushqimor, po ashtu edhe Zvicra.

Ne mendojmë gjithashtu se ka nevojë për ndryshim në Kodin Penal dhe jemi duke punuar. Jemi marrë jo pak edhe me mashtrimin ushqimor.

Kodi Penal nuk ka asnjë parashikim të detajuar, ndërkohë që është e qartë për publikun e gjerë dhe këdo se njerëzit, ndër vite, kanë blerë dhe kanë paguar një produkt të caktuar dhe kanë marrë diçka komplet tjetër.

Për shembull, kanë paguar gjalpë dhe kanë marrë vaj palme. Ligji përcakton qartë se produktet me bazë përbërës natyrorë nuk mund t’i zëvendësosh me përbërës të tjerë.

A ka sot AKU laboratorë ku mund të kryejë analizat në funksion të kontrollit më të mirë dhe rritjes së sigurisë ushqimore?

Analizat për produktet janë të pafundme e lidhur kjo me treguesit cilësorë. Ne sot kemi shtatë laboratorë,

kemi edhe ISUV, që është i pajisur me kapacitetet e duhura njerëzore, por natyrshëm ka vend për t’u përmirësuar edhe më tej dhe për të shtuar gamën e analizave për të dhënë përgjigje më shkencore.

Tashmë, është në vijim një projekt me mbështetjen e Bashkimit Europian për laboratorin, i cili ka nisur prej dy vitesh, por duke qenë se nuk respektoheshin fazat, ka vonesë por tashmë ka marrë vëmendje më të madhe.

Cilat do të jenë tregjet apo sektorët ku do të jetë fokusi i radhës i AKU?

Duke qenë se jemi në shtator-tetor, kur hapen shkollat dhe universitetet, fokusi ynë do të jenë fast-food-et dhe çdo njësi shërbimi e tregtimi për produktet ushqimore rreth këtyre institucioneve.

E kemi bërë këtë aksion edhe para 6-7 muajsh dhe këtë herë e kemi më të qartë se si do të procedojmë.

A mendoni se duhet të ketë kujdes për mënyrën sesi transmetohet situata në publik, lidhur me pjesën e sigurisë ushqimore?

Me të drejtë, duhet të themi që muajt e fundit, veprimi i AKU është përcjellë në media në çdo drejtim.

Ne zgjodhëm ta bëjmë këtë për të senzibilizuar publikun dhe mendoj se na ka rezultuar efikase, pasi vëmë re se është shtuar numri i denoncimeve për raste konkrete apo dyshime.

Kjo na bën optimistë, pasi mendojmë se publiku ka një rol të rëndësishëm në këtë sfidë të sigurisë ushqimore. Publiku duhet të refuzojë të blejë mall pa etiketë dhe kupon tatimor.

Së dyti, të denoncojë rastet e shkeljeve. Përmenda kuponin tatimor, jo për të bërë thirrje për fiskalizim, pasi këtë e kanë detyrë të tjera institucione, por për ta vënë theksin te fakti që një produkt me kupton tatimor,

me gjasë është i gjurmueshëm e me gjasë edhe i sigurt, ndërsa një produkt pa kupon nuk është i gjurmueshëm dhe nuk është i sigurt.

Dua të nënvizoj edhe diçka lidhur me pjesën e etiketimit, që është një çështje shumë e rëndësishme, por që nuk i kushtohet vëmendje. Kjo po ndryshon së fundmi.

Është dyfishuar numri i kërkesave të etiketave, për të cilat është kërkuar miratim. Kjo në këndvështrimin tim lexohet vetëm si ndërgjegjësim i biznesit, për të marrë masa edhe mbi procesin e etiketimit,

pasi produktet, në fakt, nuk janë të gjitha të reja në treg, por një pjesë e mirë janë ekzistuese, por që janë tregtuar pa etiketë.