Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar 65.5 kg produkte të pasigurta dhe ka gjobitur me 1.7 milion lekë 5 subjekte në Tiranë, Bulqizë, Pogracec dhe Shkodër.

Ja subjektet e gjobitura:

1-Subjekti “Maliq Begteshi” me aktivitet “Supermarket ushqimor”, Tiranë, tregtonte produkte ushqimore (djath, mish dhe kofsha pule) në kushte të papërshtatshme ruajtjeje dhe tregtimi (produktet e mishit mbaheshin në të njëjtin ambjent frigoriferik me pije freskuese dhe jo në frigorifer ngrirës). Analizat e mostrave të produkteve të mishit dhe djathit konfirmuan se produktet kishin ngarkesë mikrobiologjike (Salmonella spp dhe nivel mbi normën e lejuar të Enterobaktereve). Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masat administrative të mëposhtme:

“Gjobë” me vlerën 500,000 lekë (hedhje në treg të produkteve të pasigurta për konsum),

“Gjobë” me vlerën 200,000 lekë (veprim në kundërshtim me përgjegjësitë e operatorit të biznesit), si dhe

“Asgjësim i produktit” për sasinë prej 17.8 kg produkte të pasigurta për konsum human.

2-Subjekti “Zeliha Demiri” me aktivitet “Pastiçeri”, Tiranë, ushtronte aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare (prani myku në tavolinën e punës, mungonte analiza e ujit, nuk ishte kryer shërbimi DDD, punonjësit nuk kishin libreza shëndetësore të vlefshme dhe prani e sendeve të tepërta në ambientin e punës). Për shkeljet ligjore të konstatuara, trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë, si dhe “Ndërprerje e menjëhershme e aktivitetit”, deri në plotësimin e mangësive të konstatuara.

3-Subjekti “Ëngjëllushe Koçi” me aktivitet “Njësi tregtimi”, Bulqizë, tregtonte produkte ushqimore me afat të kaluar përdorimi (miell, komposto, amita, llokume, reçel, fruta të thata etj). Për shkeljen e konstatuar trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë, si dhe “Bllokim produkti” për sasinë prej 28.7 kg produkte ushqimore të pasigurta për konsum human, me qëllim asgjësimin e tyre.

4-Subjekti “Idajet Shkulaku” me aktivitet “Restorant”, Dardhas, Pogradec, tregtonte produktin “mish viçi” pa vulë dhe pa certifikatë veterinare. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese mori masën administrative “Gjobë” me vlerën 100,000 lekë, si dhe “Bllokim produkti” për sasinë prej 19 kg mish të pasigurt për konsum human, me qëllim asgjësimin e tij.

5-Subjekti “Ent publik – Magazinë ushqimore për grupe të veçanta popullsie (çerdhe, kopshte)”, Shkodër, ushtron aktivitetin në kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare. Gjatë kontrollit u konstatua se: subjekti (ent publik) nuk dispononte frigoriferë për ruajtjen e produkteve të mishit dhe nënprodukteve të tij, mungonte tualeti, pajisjet brenda magazinës kishin prani ndryshku, nuk dispononte leje/certifikatat përkatëse higjeno-sanitare për automjetin e transportit të ushqimeve, si dhe agjentët e pastrimit dhe dezinfektantët ruheshin në të njëjtat ambiente me ushqimet. Për shkeljet e konstatuara, trupa inspektuese vendosi masën administrative “Gjobë” me vlerën 300,000 lekë.

Artikulli paraprakPLAGOSET ME ARMË ZJARRI 27-VJEÇARI NË LEZHË, POLICIA NË KËMBË PËR KAPJEN E AUTORËVE
Artikulli tjetërEMËRIMET NË POLICI, ALIBEAJ: RAMA PO RIKTHEN POLICËT QË MBOLLËN SHQIPËRINË ME DROGË BASHKË ME KRIMIN E ORGANIZUAR