AKU ka bllokuar në Berat 3 subjekte që tregtonin mish në mungesë të dokumentacionit shoqërues veterinar, si dhe në kushte jashtë standarteve. Në fotot e shpërndara nga AKU duken organet e brendshme të kafshëve në lavamanët e tualetit.

Kushte skandaloze të ruajtjes dhe shitjes së mishit. Kësaj here lajmi vjen nga Berati, aty ku Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, ka gjobitur 3 subjekte që nuk plotësonin kushtet e ruajtjes së ushqimit.

AKU ka shpërndarë një njoftim për mediat, bashkë me foto nga aksioni ku duket sesi tregtohet mishi. AKU ka sekuestruar 22.3 kilogramë mish keci, ndërsa iu ka vënë gjobë nga 100 mijë lekë 3 subjekteve.
Njoftimi i AKU-së:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në kuadër të masave të përforcuara gjatë sezonit turistik ka konstatuar tre subjekte në qarkun e Beratit që tregtonin mish në mungesë të dokumentacionit shoqërues veterinar.

Gjatë kontrollit të kryer AKU, zbuloi se ambienti ku tregtohej mishi, ishte në kushte jashtë standardeve higjieniko-sanitare.

Fotot e realizuara në ambientet e subjekteve tregojnë fare qartë kushtet e rënda higjieno-sanitare ku ata tregtonin produktin e mishit të kecit. Trupa inspektuese e Drejtorisë Rajonale të AKU,

Berat në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme gjatë inspektimit konstatuan kushtet e rënda higjieno-sanitare në të cilën ushtrohej aktiviteti nga këto subjekte si dhe në mungesë të dokumentacionit përkatës, vula dhe certifikata veterinare e produktit.

Konkretisht, një subjekt në Kuçovë të shtetasit Eduart Goga dhe dy subjekte në Berat, të shtetasve Donik Pirja dhe Marjus Tabaku me veprimtari tregtim mishi të cilët tregtonin mish keci në mungesë të vulës dhe certifikatës veterinare.

Për shkeljet e mësipërme u morën masat administrative bllokim të produktit 22.3 mish keci si dhe masa administrative me gjobë në vlerën 100.000 lekë për secilin nga subjektet.