MËSOHET SE ËSHTË DISKUTUAR RRETH AKUZAVE POR EDHE QËNDRIMIT NË SEANCË PLENARE. Pas akuzave të deputetit Tom Doshi, Kreu i Kuvendit njëherësh Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ka zhvilluar një takim sot për rreth 1 orë me ministrat dhe deputetët e forcës politike që ai drejton.

Pavarësisht se në dalje nga mbledhja deputeti i LSI Vangjel Tavo tha për mediat se ishte një takim rutinë, burime për bënë të ditura se në qendër të këtij takimi ka qenë seanca e nesërme parlamentare dhe debatet e forta që priten të ndodhin mes LSI dhe Partisë Demokratike. Kjo pasi opozita ka dorëzuar mocion për shkarkimin e Metës, pas deklaratës së Doshit se Kreu i Kuvendit ka paguar një person që ta eleminojë atë dhe deputetin demokrat Mëhill Fufi. Në kundërpërgjigje, deputeti i LSI Spartak Braho ka paralajmëruar ‘surpriza’ për Sali Berishën. Sipas burimeve, bëhet fjalë për vendosjen e një monitori ku do të shfaqen video. Takimi i Metës me grupin parlamentar të LSI u zhvillua në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, rreth 2 orë pasi kryeparlamentari ishte takuar “kokë më kokë” me Kryeministrin Edi Rama. Ky është takimi i dytë radhazi mes liderëve të mazhorancës, që pas akuzave të Doshit.